Futet në librat e historisë, ndeshja e Champions League që theu çdo rekord të mëparshëm diversiteti
Dinamo përgatit një lëvizje me shumë interes pikërisht në prag të derbit me Partizanin. Ish-mbrojtësi i të kuqve, Andi Hadroj, do të firmosë sot me blutë, duke u bërë përforcimi më i ri i skuadrës kryeqytetase.
Hadroj dhe Dinamo kanë arritur marrëveshjen për një kontratë njëvjeçare, me mbrojtësin që rikthehet në Superiore pas aventurës jashtë Shqipërisë. Ai e kishte mbyllur bashkëpunimin me Polissya Zhytomyr dhe ishte bërë lojtar i lirë, ndaj Dinamo nuk do të paguajë tarifë transferimi për afrimin e tij.
Një detaj që e bën edhe më interesante këtë lëvizje është e kaluara e Hadrojt me Partizanin. Në janar të vitit 2025, klubi i kuq e shiti mbrojtësin te Polissya për rreth 400 mijë euro, një nga transferimet më të rëndësishme të realizuara nga Partizani në vitet e fundit. Tashmë, rreth një vit e gjysmë më vonë, Hadroj rikthehet në futbollin shqiptar si lojtar i lirë dhe zgjedh pikërisht rivalin e përjetshëm të ish-klubit të tij, Dinamon.
Firma vjen në një moment pikant, vetëm një ditë përpara përballjes Dinamo-Partizani, e programuar për nesër. Megjithatë, pavarësisht se kontrata do të firmoset sot, Hadroj nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur në derbi. Mbrojtësi nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këtë sfidë dhe debutimi me fanellën blu do të mbetet për ndeshjet e ardhshme.
Hadroj, i formuar te Laçi dhe i aktivizuar më pas me Bylisin e Partizanin, rikthehet kështu në kryeqytet, por këtë herë me fanellën e Dinamos. Një lëvizje që i jep derbit të nesërm edhe një histori shtesë, me ish-lojtarin e Partizanit që firmos për rivalin pikërisht në prag të përballjes mes dy skuadrave.
Top Channel