Marcelo Brozović është shumë pranë transferimit te Al Sadd. Mesfushori kroat ka arritur marrëveshjen me klubin nga Katari dhe pritet të firmosë një kontratë njëvjeçare, me opsion për zgjatjen e saj deri në vitin 2028.

Transferimi do të realizohet si lojtar i lirë, pasi Brozović mbylli në fund të sezonit aventurën me Al Nassr në Arabinë Saudite. Sipas raportimeve të fundit, palët kanë gjetur akordin dhe tashmë kanë mbetur për t’u kompletuar dokumentet zyrtare.

33-vjeçari ishte përfolur gjatë verës për një rikthim në futbollin europian, veçanërisht në Itali, por një marrëveshje e tillë nuk u konkretizua. Tani, Brozović është gati të nisë një tjetër kapitull në karrierë, këtë herë në Katar.

Te Al Sadd, kroati do të gjejë një skuadër me emra të njohur të futbollit ndërkombëtar. Në organikë janë aktualisht Roberto Firmino, ish-sulmuesi i Liverpoolit, Alessio Romagnoli dhe Youcef Atal, ndërsa Brozović pritet t’i shtojë eksperiencë dhe cilësi repartit të mesfushës.

Brozović ka kaluar pjesën më të rëndësishme të karrierës te Interi, ndërsa më pas luajti për tri sezone te Al Nassr. Me klubin saudit regjistroi 124 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 23 asistime, përpara se të largohej si lojtar i lirë.

Top Channel