Në shkollën e mesme e thërrisnin “Kissinger” për aftësitë e tij negociuese. Historia e suksesit të njeriut që mori në dorë frenat e klubit zikaltër.

Miqtë e vjetër rreth stadiumit “Ossola”, gjithmonë krenarë për sukseset e “Beppe-s”, siç e quajnë rëndom në Varese, ku po përgatisin dollinë e radhës. Shoku i tyre i fëmijërisë, ai që grumbullon tituj kampionati radhazi mes Torinos dhe Milanos, sapo ka fituar një tjetër. Giuseppe Marotta, i njohur thjesht si Beppe, ka përsëritur suksesin e tij, një tjetër triumf në kampionat, por këtë herë me përgjegjësinë më të lartë që mund të ketë një klub.

Ky kampionat, i njëmbëdhjeti në karrierën e tij, është i pari ndërsa ai mban timonin e klubit si President. Marotta u zgjodh në krye të Interit nga vetë pronarët e “Oaktree”, të cilët kërkonin një “navigator” me përvojë, një njeri që di të balancojë të gjitha anët e ndryshme të një klubi të madh. Një figurë si Marotta, i cili që në shkollën e mesme “Cairoli” në Varese, ku ndante bankat me emra si Bruno Arena i “Fichi d’India” dhe ish-ministri Roberto Maroni, thirrej nga të gjithë “Kissinger”. Ky pseudonim, i frymëzuar nga Sekretari legjendar i Shtetit Amerikan, i ishte vënë pikërisht për aftësinë e tij të lindur si ndërmjetës.

Që prej majit të vitit 2024, Marotta u ngjit në shkallën e fundit të karrierës (cursus honorum) në futboll. Sot, dy vjet pas emërimit, ai po korr frytet e para të pastra si president, një sukses i arritur me djersë në fushë, por edhe me ide të qarta pas tavolinës. Presidenti ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e “Oaktree” në bordin drejtues, që nga anglezja Katherine Ralph deri te katalanasi Alejandro Cano, të pranishëm pothuajse çdo ditë në zyrat e “Viale della Liberazione”, pa harruar italianët Renato Meduri dhe Carlo Ligori.

Vendimtare kanë qenë edhe lëvizjet inteligjente në merkato, të koordinuara nga vetë Marotta dhe të ekzekutuara nga drejtori sportiv Piero Ausilio dhe zv.drejtori Dario Baccin. Gjithçka nisi me një intuitë verore, e cila doli të ishte vendimtare për rikthimin e titullit, kur Simone Inzaghi u largua drejt shkretëtirës i joshur nga miliona arabë, Interi fillimisht flirtoi me Cesc Fabregasin, por më pas u rikthye me forcë te Cristian Chivu. Ky i fundit ishte një zgjedhje “shtëpie”, por me përvojë modeste si trajner (vetëm 13 ndeshje me Parmën në Serie A). Duke parë rrethanat, dhënia e “çelësave të shtëpisë” Chivu-së dukej si një rrezik i madh, por në departamentin sportiv zikaltër askush nuk kishte dyshime. “Jeni të sigurt?”, ishte e vetmja pyetje e drejtuar nga pronarët, dhe një “Po” e prerë nga Presidenti mjaftoi për të larguar çdo re pasigurie.

Midis pluhurit dhe lavdisë

Që nga ai moment, puna e Marottës u përqendrua në mbrojtjen e Chivu-së, një trajner i aftë për të depërtuar në mendjet e lojtarëve. Marotta i mbeti besnik metodës së tij “Realpolitik”, ashtu siç bëri me këtë tripletë titujsh zikaltër apo me tetë titujt e fituar te Juventusi (shtatë sezone të plota plus vitin 2017-18, kur dha dorëheqjen në tetor, por titulli i njihet zyrtarisht).

Asnjë menaxher tjetër në historinë e futbollit italian nuk ka arritur shifra dyshifrore në tituj kampion. Ai tashmë ka kaluar emra legjendarë si Gianpiero Boniperti, i cili si president i Juventusit u ndal në nëntë tituj. Miku dhe mentori i tij, Adriano Galliani, fitoi tetë me Milanin (medalje bronzi). Pas tyre renditen Italo Allodi dhe Luciano Moggi me gjashtë.

E vetmja gjë që mungon në këtë rekord mbresëlënës është një triumf në Evropë. Ai i është afruar disa herë, ka humbur katër finale të Champions League dhe një të Europa League dhe synon ta tentojë sërish vitin e ardhshëm me shpirtin e një të riu, pavarësisht se mbush 69 vjeç. Është kjo ambicie që e ka ngritur nga “pluhuri” i magazinave të Vareses, që mbanin erë vaji dhe këpucësh futbolli, drejt zyrës luksoze me xham në katin e dhjetë të rrokaqiellit në Milano. Ai tashmë është në majën e Milanos që sheh lart, por sa herë kthehet në Varese, Marotta mbetet gjithmonë thjesht “Beppe”.

Top Channel