Nga Sazani, zona e Pishë Poro-Nartë dhe situata në Zvërnec, Rama publikon faktet: Nuk ka shitje të ishullit, s’do arrijnë kurrë ta tërheqin Shqipërinë poshtë Në ditën e 15-të të saj, protesta kundër klasës politike, ka marrë një tjetër drejtim.
Pas rreth pesë orësh në bulevard dhe rrugët e Tiranës, protestuesit nuk janë rikthyer sërish në bulevard, por kanë marshuar në autostradën Tiranë- Durrës e më pas rrugën drejt aeroportit të Rinasit.
Gjatë marshimit drejt aeroportit, në orën 01:45, ata janë përballur me policinë e cila nuk i ka lejuar të avancojnë.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë formuar disa kordonë dhe kanë përdorur disa makina të uniformave blu për të bllokuar kalimin e protestuesve drejt aeroportit.
Pamjet e filmuara nga Top Channel pas mesnate tregojnë protestuesit duke ecur në autostradë, çka ka bërë që rruga lidhëse mes kryeqytetit dhe qytetit bregdetar të bllokohet.

Gjatë fillimit të protestës persona me kapuçë të zinj dhe syze prishën qetësinë e protestuesve. Tensionet nisën kur u përhapën zëra se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për firmosjen e një peticioni, por organizatorët thanë se një gjë e tillë ishte provokim.
Protesta vijoi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Edhe në ditën e 15-të, qytetarët i shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike të 35 viteve me pankarta ironike dhe humor, por nuk munguan as fjalimet në podiumin e ngritur para Kryeministrisë.
Largimin e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i socialistëve, protestuesit e cilësuan fitore të tyre.
“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputete e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje”, tha një prej protestuesve.
Tubimit iu bashkuan sot edhe banorë të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID.
Pas fjalimeve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit e më pas u futën në Unazën Lindore.

Top Channel