Fiks Fare/ HEC-i që po shteron monumentet e natyrës në Mirditë, dy kanione pa ujë dhe një fshat që po shuhet

28/10/2026 20:51

Kanione pa ujë, çezma të thara, pemë që po vyshken dhe banorë që po braktisin shtëpitë. Në Lufaj të Mirditës, hidrocentrali që ka devijuar rrjedhat ujore ka lënë pas një panoramë alarmante.

Fiks Fare udhëtoi në zonë në korrik të vitit 2026 dhe konstatoi se kanionet e Urakës dhe Zall Gjoçajt, monumente natyrore të mbrojtura, ishin pa rrjedhë uji. Ndërsa banorët denoncojnë shkatërrimin e natyrës dhe tharjen e burimeve, administratori i kompanisë koncesionare pretendon se lihet rrjedhë ekologjike, por pranon se nuk mund të lëshojë të gjithë ujin në rrjedhën natyrore.

Natyra ka krijuar kanione të mrekullueshme në Mirditë, por ndërhyrja e njeriut rrezikon t’i kthejë ato në peizazhe të thata. Në zonën e Lufajt, dy prej monumenteve natyrore, kanioni i Urakës dhe ai i Zall Gjoçajt, po përballen me mungesën e ujit, ndërsa rrjedhat janë devijuar drejt një hidrocentrali.

Fiks Fare udhëtoi në këtë zonë pas ankesave të banorëve, të cilët denoncojnë se hidrocentrali ka ndryshuar rrjedhën natyrore të ujërave, duke dëmtuar jo vetëm monumentet e natyrës, por edhe jetesën e komunitetit.

Në kanionin e Urakës, pamjet që ndesh grupi i Fiks Fare janë tronditëse. Në vendin ku duhet të rrjedhë uji, ka mbetur një shtrat i thatë, ndërsa në disa pjesë dallohen vetëm zgavra dhe gjurmë të rrjedhës së dikurshme.

Jorgji Locaj, banor i zonës dhe denoncues i vazhdueshëm i kësaj problematike, shoqëron grupin e Fiks Fare dhe tregon se si është ndryshuar rrjedha natyrore. “Kjo është një shpellë që futet uji atje lart dhe duhet të dalë këtu. Këtu nuk ka rrjedhje uji. Këtu ka vetëm ndotje. Kanioni i Urakës është devijuar. Kanë ngelur disa zgavra. Këtu ka troftë dhe duhet të ketë ujë në rrjedhë”, thotë ai.

Pak metra larg kanionit dhe shpellës është ndërtuar një central, ndërsa uji, sipas banorit, devijohet dhe dërgohet drejt hidrocentralit. Fiks Fare konstaton se në shtratin e kanionit nuk ka rrjedhë uji.

Është 22 korrik 2026, ora 12:07. Në kanion nuk kalon asnjë pikë ujë. Edhe më në brendësi, situata paraqitet e njëjtë. “Kanë ardhur të huaj dhe tani duhet t’u them se nuk ka më ujë”, shprehet Jorgji Locaj, duke ngritur shqetësimin se një pasuri natyrore, që duhet të ruhet dhe të vizitohet, po humbet vlerën e saj. Sipas tij, kompania koncesionare “Seka Hidropower” ka devijuar ujërat në zonën e Zaisit, i kalon ato në Lufaj dhe më pas i dërgon në central përmes tubacioneve.

“Kjo kompani nuk hedh ujë as në dimër dhe as në verë”, pretendon banori. Grupi i Fiks Fare filmon edhe një tubacion të madh, ku, sipas denoncimit, mblidhen dhe devijohen ujërat e kanioneve të Urakës dhe Zall Gjoçajt. Zall Gjoçaj, kanioni ku betoni ka zëvendësuar rrjedhën natyrore Nga kanioni i Urakës, Fiks Fare vijon vëzhgimin në kanionin e Zall Gjoçajt.

Edhe këtu, peizazhi natyror përballet me një ndërhyrje që bie në kontrast me bukurinë e zonës. Shkëmbinj të mëdhenj dhe formacione natyrore rrethojnë shtratin e kanionit, ndërsa në mes të tij shfaqen struktura betoni.

Uji, që duhet të jetë elementi kryesor i këtij monumenti natyror, mungon. “Kanionin e Zall Gjoçajt e kanë devijuar në mes të Parkut të Lurës. Në bazë të ligjit shqiptar, në asnjë vend të botës kjo që na ka ndodhur ne në Lufaj e Zall Gjoçaj nuk bëhet. Ja pra, nuk ka pikë uji dhe mbrëmë ka rënë shi gjithë natën”, thotë Jorgji Locaj. Sipas përcaktimeve ligjore të referuara në material, gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator duhet të sigurohet rrjedha ekologjike dhe të mos kryhet shfrytëzimi i hidrocentralit në kundërshtim me këto detyrime.

Megjithatë, gjatë verifikimit të kryer në korrik 2026, grupi i Fiks Fare nuk konstatoi rrjedhë uji në dy kanionet.

Përgjatë rrugës drejt fshatit Lufaj, Fiks Fare konstaton se edhe disa çezma ekzistuese janë të thara. Për banorët e zonës, mungesa e ujit është kthyer në një shqetësim të përditshëm, që prek drejtpërdrejt jetesën dhe të ardhmen e fshatit. Banorët e paktë tregojnë se lumi, të cilin ata e quajnë “zalli”, ka pasur gjithmonë ujë. Por, sipas tyre, pas ndërhyrjes së kompanisë dhe devijimit të rrjedhës, situata ka ndryshuar. “Janë tharë të gjitha, kumbullat e pemët. Tani jemi vetëm dy shtëpi të banuara. Po nuk pati ujë, nuk ka asgjë. Më parë kanë qenë 35 shtëpi”, tregon një banor. Fjalët e tij përshkruajnë më shumë sesa mungesën e një burimi jetik.

Fiks Fare bisedoi me Bardhyl Mucekun, administrator i kompanisë koncesionare “Seka Hidropower”.

Ai pretendon se kompania lë një rrjedhë ekologjike, por shpjegon se zona është karstike dhe se uji mund të humbasë gjatë rrjedhës së tij. Sipas administratorit, hidrocentralet janë të fikura dhe uji shkon te banorët. Ai pretendon gjithashtu se në kanionin e Urakës hidhet ujë, por pas rreth 2.5 kilometrash ai humbet.

Pra, ndërsa banorët dhe pamjet e filmuara nga Fiks Fare tregojnë kanione pa ujë, administratori i kompanisë e lidh mungesën e rrjedhës me karakteristikat gjeologjike të zonës. Muçeku shpjegon se koncesioni është realizuar nga një kompani italiane dhe se uji kalon nëpër tubacione, të cilat, sipas tij, shërbejnë edhe për të ulur presionin përpara se uji t’u kalojë banorëve. Por, kur pyetet nëse kompania është e gatshme të lëshojë të gjithë ujin në rrjedhën natyrore, administratori përgjigjet negativisht, duke argumentuar se kështu është parashikuar në marrëveshje.

Top Channel