24-vjeçarja ra nga dritarja e taksisë, zbulohen detaje/ E reja ishte nën efektin e alkoolit së bashku me shoferin dhe shoqen e saj, po bënte video…

18/11/2026 14:57

Një 24-vjeçare ka mbetur e dëmtuar pasi është rrëzuar nga dritarja e pasme e një taksie në zonën e Mulletit.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 15 nëntor 2026, ndërsa e reja po merr ndihmë mjekësore në spital.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, 24-vjeçarja ndodhej në taksi së bashku me një shoqe, ndërsa mjeti drejtohej nga një 47-vjeçar, teksa të tre dyshohet se kishin konsumuar alkool në zonën e Mulletit.

Në një moment, e reja ka hipur në dritaren e pasme të automjetit për të realizuar një video, por është rrëzuar.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka ndaluar shoferin 47-vjeçar, me inicialet J. S., ndërsa ka proceduar penalisht edhe pasagjeren tjetër, 23-vjeçaren L. T., e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës dhe dhënie të deklaratës së rreme.

Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se 24-vjeçarja P. V. ka rënë nga dritarja e pasme e taksisë që drejtohej nga 47-vjeçari, ndërsa vijon të marrë mjekim në spital.

Rrethanat e plota të incidentit mbeten për t’u sqaruar.

 

 

 

Top Channel