Të gjithë dyshuan për një “dhuratë” nga arbitrat! Reagon zyrtarisht FIFA për penalltinë e debatueshme të Zvicrës

14/06/2026 14:59

Një stuhi e vërtetë reagimesh ka shpërthyer pas barazimit 1-1 mes Katarit dhe Zvicrës në raundin e parë të fazës së grupeve në Kupën e Botës.

Në qendër të këtij skandali ka përfunduar pikërisht teknologjia VAR, e cila ka ngritur dyshime të mëdha te tifozët anembanë globit.

Zviceranët kaluan në avantazh në minutën e 17-të me anë të një penalltie të shënuar nga Breel Embolo. Ndonëse ndërhyrja e portierit të Katarit ndaj mesfushorit zviceran ishte e pastër dhe e padiskutueshme, i gjithë planetit mbeti në dyshim nëse ky aksion u parapri apo jo nga një pozicion jashtë loje (offside) i Remo Freuler.

Tre minuta pritje dhe asnjë përsëritje në ekran

Ajo që revoltoi më shumë publikun dhe shikuesit gjatë transmetimit direkt ishte pritja e gjatë prej tre minutash derisa arbitri Said Martinez të merrte konfirmimin nga dhoma e VAR. Gjatë kësaj kohe, në ekranet e televizoneve nuk u shfaq asnjë përsëritje e vijave apo animacioni i famshëm 3D që përdoret për pozicionet jashtë loje. Arbitri Martinez thjesht bëri me shenjë nga qendra e fushës duke akorduar golin, duke i lënë tifozët pa asnjë provë vizuale.

Reagimi zyrtar i FIFA-s dhe justifikimi për defektin teknik

Për të qetësuar gjakrat, FIFA doli me një deklaratë zyrtare menjëherë pas ndeshjes, ku paraqiti animacionin grafik që vërtetonte se lojtari zviceran nuk ishte në pozicion jashtë loje, pasi përpara mbrojtjes ndodhej vetëm një pjesë e parakrahut të tij.

Deklarata e plotë e FIFA-s: “Gjatë ndeshjes Katar-Zvicër, në zonën e Gjirit të San Franciskos, një ndërprerje e shkurtër teknike pengoi gjenerimin e grafikës 3D për pozicionin jashtë loje përpara penalltisë së dhënë në minutën e 14-të. Problemi u zgjidh shpejt. Ky defekt nuk ndikoi në procesin e punës së dhomës së VAR, e cila ndoqi të gjitha procedurat standarde për verifikimin e vendimit në fushë. Vijat e përdorura nga VAR konfirmuan se sulmuesi nuk ishte në pozicion jashtë loje në asnjë prej dy rasteve përpara se të akordohej penalltia.”

Edhe pse shtëpia botërore e futbollit sqaroi se vendimi i arbitrave ishte teknikisht i saktë, ky incident ka hapur një debat të madh mbi besueshmërinë e teknologjisë kur grafika nuk shfaqet në kohë reale për miliona shikues nga ekrani.

Top Channel