Dukej se gjithçka ishte e mbyllur me zikaltrit, por kthesa e papritur e agjentit dhe oferta ekonomike shumë më e lartë e “Bluve” kanë përmbysur tërësisht negociatat.

Një ndërhyrje e ashpër ka prishur të ardhmen zikaltër të Marco Palestra-s. Jo në fushën e lojës, kuptohet, por në merkato. Përfshirja e Chelsea-t ka përmbysur fatin e kësaj tratative.

Kjo për faktin se drejtuesit e Interit e kaluan një pjesë të madhe të ditës së sotme në bisedime me Alessandro Lucci-n, agjentin e anësorit në pronësi të Atalantës, duke u ulur në tryezë me bindjen e plotë për të arritur shumë shpejt një marrëveshje përfundimtare. Nga ana e lojtarit gjithçka ishte e kryer, ashtu sikurse edhe nga ana e klubit bergamask, por gjatë këtij takimi të stërgjatë doli në dritë një ndryshore jo e vogël.

Bëhet fjalë për ndërhyrjen e fuqishme të londinezëve, të cilët kanë vënë në pjatë shifra dukshëm më të larta në krahasim me ato tashmë mjaft të majme të ofruara nga Interi: flitet për një kontratë pesëvjeçare prej 5 milionë eurosh në vit për lojtarin, ofertë të cilën ai në fund ka vendosur ta pranojë. Palestra i kishte dhënë gjithmonë prioritet Interit, por bindja dhe vendosmëria me të cilën klubi anglez u përfshi në garë, ka ndryshuar në mënyrë të bujshme ecurinë e një tratative që dukej tashmë e përfunduar.

Top Channel