Gola, dramë dhe ritëm “Vikingësh”, Haaland udhëheq Norvegjinë drejt një kualifikimi historik pas fitores me Senegalin

23/06/2026 07:13

Norvegjia ka arritur një sukses historik duke marrë dy fitore radhazi në një turne madhor për herë të parë, pas një triumfi të vështirë por të merituar 3-2 kundër Senegalit.

Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Ståle Solbakken ka siguruar zyrtarisht një vend në fazën e 1/32-ave të Kupës së Botës.

Pas fitores bindëse 4-1 ndaj Irakut në ndeshjen e parë, norvegjezët e nisën me ritëm të lartë edhe këtë sfidë.

Pavarësisht një dëmtimi të hershëm të Julian Ryerson, zëvendësuesi i tij Marcus Holmgren Pedersen u kthye në protagonist.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, një gabim trashanik i Kalidou Koulibaly i lejoi Pedersenit të zhbllokonte shifrat dhe të shënonte golin e tij të parë ndërkombëtar. Erling Haaland për pak sa nuk dyfishoi avantazhin para pushimit, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtën dinamikë. Vetëm tre minuta pas rikthimit në fushë, Haaland nuk fali pas një asistimi preciz nga kapiteni Martin Ødegaard.

Senegali reagoi shpejt duke ngushtuar diferencën me Ismaïla Sarr, por Haaland u përgjigj sërish pesë minuta më vonë, duke shfrytëzuar krosimin e Patrick Berg për të çuar shifrat në 3-1.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Sarr shënoi përsëri për Senegalin, por goli i tij erdhi tepër vonë për të ndryshuar fatin e takimit.

Norvegjia do të luajë ndeshjen e fundit të grupit kundër Francës për të përcaktuar fituesin e Grupit I, ndërsa Senegali do të kërkojë kualifikimin si vend i tretë në përballjen e fundit ndaj Irakut.

Rezultati:
Norvegji 3 – 2 Senegal
Pedersen 43’, Haaland 48′, 58’ / Sarr 53′, 90+3’

Top Channel