Kristjan Asllani ishte njeriu i ndeshjes së Kombëtares në fitoren shumë të vuajtur ndaj San Marinos. Mesfushori kuqezi shënoi të dy golat në këtë ndeshje që edhe pse u fitua përsëri solli zhgënjim për mënyrën sesi rrodhën gjërat.

‘Pjesën e parë kemi hyrë mirë në fushë dhe zhbllokuam rezultatin. Pastaj kur nuk i mbyll ndeshjet është problem i madh. Pjesën e dytë, nuk e di pse kemi pasur aq probleme. Ndoshta ne mesfushorët nuk po bënim shumë presing, kishim shumë distanca të gjata. Dhe nuk e di, por tani të them të drejtën, marrim 3 pikë dhe vendin e parë dhe të presim nëntorin. Ne kemi bërë atë që kërkon trajneri, ne mesfushorët po rrijmë lart. Po e fillojmë lojën me 3 mbrojtës. Problemi ynë është që kur ne mesfushorët nuk e prekim topin për 6-7 minuta, duhet të shkojmë ta marrim te mbrojtësi. Mesfushori duhet ta preki topin. Gjithë njerëzit mund të thonë se 3 pikë të thjeshta me San Marinon, por tani futbolli është bërë shumë i vështirë. Dhe atje në Finlandë kemi bërë 25 minuta fantastike, erdhi kartoni i kuq dhe u humb ndeshja-tha Asllani.

Mesfushori më pas foli për penalltinë që na dha 3 pikët e kësaj ndeshjeje dhe që e lejojnë Kombëtaren të mbyllë fushatën e shtator-tetorit të Nations League në vendin e parë

‘Kur shkova te penalltia, ishte një “deja vu”. Më ngjante sikur ishte ndeshja Leçe-Torino që gabova në minutën e 93-të. Thashë jam pak i lodhur, nuk e di a ta gjuaj në qendër, nuk e di nuk kam gjuajtur asnjëherë penallti. Unë shoh gjithmonë portierin, por tani të studiojnë të gjithë. Kam këtë lloj gjuajtje, që ndaloj pak dhe shoh portierin. Sa bën ai hapin e parë… nuk i zbulojmë të gjithë gjërat tani-shtoi Asllani

Në nëntor kombëtarja do të luajë me Finlandën dhe Bjellorusinë dhe Asllani deklaroi se gjithçka është në dorë të vetë skuadrës sonë përfaqësuese

‘Tani varet gjithçka nga ne. Po bërë 6 pikë je i pari sigurisht. Tani do kthehemi te ekipet tona, pastaj do vijmë këtu dhe do demostrojmë akoma gjërat. Ka nisur cikël i ri dhe me trajner të ri. Jemi shumë të lumtur, tani e kuptuam çfarë do me të vërtetë trajneri. Në fund kemi bërë katër ndeshje të mira dhe kjo është gjë e madhe për Kombëtaren’- përfundoi Kristjan Asllani.

Top Channel