Antonelli thyen rekordet e F1, përkul Senën, Schumacherin, Vettelin dhe Verstappenin
Në moshën vetëm 10-vjeçare, ai drejtonte një Lamborghini me shpejtësi 320 km/h, ndërsa babai i tij kontrollonte gazin dhe frenat. Dhjetë vite më vonë, Kimi Antonelli shkroi historinë e Formula 1, duke u bërë kampioni më i ri i të gjitha kohërave dhe duke thyer rekordin e Sebastian Vettel.
Ishte vetëm 10 vjeç kur babai i tij kuptoi se djali nuk ishte një fëmijë i zakonshëm. I ulur në prehrin e të atit, me duart në timonin e një Lamborghini, ai drejtonte makinën dhe ndërronte marshet, ndërsa automjeti arrinte shpejtësinë marramendëse prej 320 kilometrash në orë.
Dhjetë vite më vonë, ai djalë nga Bolonja do të hynte në historinë e sportit më të madh automobilistik në botë.
Kimi Antonelli u shpall kampion bote në Formula 1 pas Çmimit të Madh të Meksikës, duke siguruar matematikisht titullin në moshën 20 vjeç e 68 ditë. Piloti italian i Mercedesit përfundoi garën në vendin e tretë, pas Max Verstappen dhe Leëis Hamilton, por ky rezultat ishte më se i mjaftueshëm për të kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm.
Me këtë sukses, Antonelli theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte shpallur kampion bote në vitin 2010, në moshën 23 vjeç e 134 ditë.
Ai u bë gjithashtu italiani i parë që fiton titullin botëror në Formula 1 pas Alberto Ascari, i cili e kishte arritur këtë sukses për herë të fundit në vitin 1953.
Por pas këtij triumfi qëndron një histori e veçantë familjare, e cila nisi në një garazh, me një baba që fillimisht kishte frikë se mos djali i tij përjetonte të njëjtat zhgënjime që kishte kaluar vetë në karrierën automobilistike.
Lamborghini me 320 km/h – Marco Antonelli nuk e ka harruar kurrë atë ditë në pistën e Andrias, në verilindje të Italisë.
Ai ndodhej aty me skuadrën e tij të garave Lamborghini, ndërsa djali 10-vjeçar, Kimi, po merrte pjesë në një garë kartingu. Në një moment, Marco e pyeti: “Dëshiron të provosh Lamborghini-n?” Përgjigjja e vogëlushit ishte e menjëhershme.
Babai u ul në vendin e shoferit dhe e vendosi të birin në prehrin e tij. Marco kontrollonte gazin dhe frenat, ndërsa Kimi kishte në dorë timonin dhe ndërrimin e marsheve.
“Unë nuk mund ta shihja pistën, sepse ai ishte ulur përpara meje dhe mbante një helmetë. Shihja vetëm tabelat që paralajmëronin afrimin e kthesave”, ka treguar Marco në një intervistë për BBC.
Dalëngadalë, shpejtësia u rrit derisa makina arriti në 320 km/h. Gjatë një frenimi të fortë, pjesa e pasme e Lamborghini-t nisi të rrëshqiste. Por reagimi i vogëlushit ishte befasues.
“Kimi e kontrolloi në mënyrë perfekte mbikthimin e makinës, ndërroi marshin dhe vazhduam. I thashë se duhej të ndalonim, sepse situata po bëhej e rrezikshme”, kujton babai i tij.
Kur pa më vonë videon e asaj xhiroje, Marco kuptoi se kishte përpara një talent të rrallë. “Atëherë mendova: Ndoshta ky djalë ka diçka të veçantë”.
Djali që u rrit mes makinave të garave – Andrea Kimi Antonelli lindi më 25 gusht 2006 në Bolonja të Italisë dhe u rrit mes motorëve, makinave sportive dhe atmosferës së garave automobilistike.
“Që kur ishte 15 ditësh, ai qëndronte në garazh, dëgjonte motorët dhe ndiente aromën e gazrave të shkarkimit”, tregon i ati.
Në moshën trevjeçare, Kimi kalonte orë të tëra përpara një simulatori drejtimi, i ulur në prehrin e babait.
Një natë, Marco ishte aq i lodhur sa e zuri gjumi gjatë një prej këtyre seancave dhe nuk reagoi në kohë për të frenuar. “Babi, babi, mos fli! Duhet të ngas makinën!”, i bërtiti vogëlushi.
Megjithatë, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm të djalit, Marco nuk dëshironte fillimisht që ai të bëhej pilot profesionist.
Arsyeja ishte personale. Edhe vetë kishte kaluar zhgënjime të mëdha në karrierën e tij, duke humbur mundësi për të garuar me emra të mëdhenj si Alfa Romeo dhe BMË. “Kam vuajtur shumë dhe kisha frikë se djali im do të përjetonte të njëjtat gjëra”, pranon ai.
Mercedes investoi 10 milionë dollarë – Kur Kimi ishte vetëm 11 vjeç, emri i tij kishte mbërritur tashmë në zyrat e Mercedesit. Skuadra gjermane dërgoi në Itali përgjegjësin e zbulimit të talenteve, Gëen Lagrue, për ta vëzhguar nga afër.
Ajo që e impresionoi ishte aftësia e Antonellit për të konkurruar dhe fituar ndaj pilotëve që kishin mjete më të fuqishme në garat e kartingut. Pas këtij vlerësimi, drejtuesi i Mercedesit, Toto Ëolff, vendosi të investonte te talenti italian.
Sipas gazetës amerikane Ëall Street Journal, Mercedes shpenzoi rreth 10 milionë dollarë për zhvillimin e tij përpara se ai të debutonte në Formula 1.
Për shtatë vite me radhë, skuadra mbuloi shpenzimet e stërvitjes, udhëtimeve, pajisjeve, pjesëmarrjes në gara dhe përgatitjes së specializuar.
Antonelli e shpërbleu këtë besim me tituj në karting, Formula 4 dhe Formula Regional, duke kaluar me shpejtësi të jashtëzakonshme nga një kategori në tjetrën.
Në vitin 2024, ai garoi në Formula 2, ndërkohë që kishte siguruar tashmë një vend në planet e ardhshme të Toto Ëolff.
“Kimi në Formula 1” – Mundësia e madhe erdhi kur Leëis Hamilton vendosi të largohej nga Mercedes për t’iu bashkuar Ferrarit. Ëolff telefonoi menjëherë Marco Antonellin. “Kemi një lajm shumë të madh. Do ta vendosim Kimin në Formula 1. Çfarë mendon?”, i tha ai.
Përgjigjja e babait ishte domethënëse: “Sigurisht që jam i lumtur. Por je i sigurt se ai është gati?”
Mercedes po i besonte vendin e një shtatë herë kampioni bote një adoleshenti, i cili në atë kohë nuk kishte marrë ende as patentën e drejtimit për makinat e zakonshme në rrugë.
Debutimi i tij në vitin 2025 u shoqërua me paraqitje mbresëlënëse, por edhe me gabime të shumta.
Presioni ishte i jashtëzakonshëm. Një aksident në Monza, gjatë testeve të vitit 2024, kishte ndikuar gjithashtu në vetëbesimin e tij.
Më pas erdhën edhe zhgënjimet, paraqitjet jo të mira dhe madje lotët përpara gazetarëve pas disa rezultateve negative. Megjithatë, Toto Ëolff vazhdoi ta mbronte zgjedhjen e tij.
“Në një skuadër tjetër ndoshta do ta kishin larguar”, kishte pranuar ai, duke theksuar se Antonelli kishte nevojë për kohë dhe mbështetje për t’u përshtatur me nivelin më të lartë të garave automobilistike.
Shpërthimi në vitin 2026 – Sezoni i dytë i Antonellit në Formula 1 ndryshoi gjithçka. Mercedes kishte ndërtuar një makinë jashtëzakonisht konkurruese dhe piloti italian nisi të tregonte potencialin e tij të vërtetë.
Gjashtë fitore dhe gjashtë pole position në 11 garat e para të sezonit e vendosën atë në qendër të vëmendjes së botës së Formula 1.
Një nga paraqitjet më të jashtëzakonshme erdhi në Monza, ku Antonelli arriti të fitonte pavarësisht se e nisi garën nga vendi i 19-të.
Por përveç përmirësimit në pistë, një rol të rëndësishëm luajti edhe mënyra se si ai mësoi të përballonte presionin.
Gjatë verës, në një takim me legjendën e tenisit Roger Federer në Ëimbledon, Antonelli mori një këshillë që duket se i ndryshoi mënyrën e të menduarit.
Federer i sugjeroi të përqendrohej te një garë në një kohë dhe te gjërat që mund të kontrollonte vetë, pa u shqetësuar për gjithçka që ndodhte përreth. Në Meksikë, më 1 nëntor, kjo pjekuri rezultoi vendimtare.
Antonelli kishte nevojë vetëm për një vend në nëntëshen e parë për të siguruar titullin, por arriti të përfundonte garën në podium, duke u renditur i treti pas Verstappen dhe Hamilton.
Në moshën 20 vjeç e 68 ditë, ai u bë kampioni më i ri i botës në historinë e Formula 1.
Toto Ëolff fitoi bastin – Pas triumfit qëndron edhe një histori besimi mes një drejtuesi skuadre dhe një talenti të ri.
Toto Ëolff kishte marrë një vendim të guximshëm duke i besuar Antonellit një makinë që më parë drejtohej nga Leëis Hamilton, një prej pilotëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
Ambicia e tij ishte të krijonte një pilot të ngjashëm me Max Verstappen, një talent të rritur për të fituar që në moshë të vogël dhe të aftë për të dominuar Formula 1 për shumë vite.
Dhe duket se basti i tij ka rezultuar i suksesshëm. Babai i Kimit, Marco, e kujton me kënaqësi planin fillestar që kishin hartuar së bashku me Mercedesin.
“Plani ishte që ai të fitonte përvojë gjatë vitit 2025 dhe të fillonte të sillte rezultate në vitin 2026. Mendoj se i kemi tejkaluar pritshmëritë”, shprehet ai.
Për Marco Antonellin, momenti më i madh nuk ishte thjesht një titull botëror. Ishte të shihte djalin që dikur drejtonte një Lamborghini i ulur në prehrin e tij, të bëhej kampioni më i ri në historinë e Formula 1.
Një histori që nisi në një garazh të vogël në Itali dhe përfundoi në majën e automobilizmit botëror.
Top Channel