‘Çfarë krenarie të fitosh për Italinë’/ Andrea Kimi Antonelli s’i përmban emocionet: Për mua është vetëm fillimi
Festës së madhe për titullin botëror të Andrea Kimi Antonellit mungoi një prej protagonistëve të Mercedes; rivali dhe njëkohësisht shoku i skuadrës së italianit, George Russell.
Britaniku që e mbylli garën në vendin e 6 duke parë që ëndrrat e titullit iu venitën përfundimisht, u largua nga paddock-u në Mexico City përpara festimeve që skuadra i dedikoi 20 vjeçarit Antonelli duke munguar edhe në takimin e detyrueshëm me median pas garës.
Një mungesë që flet për pakënaqësinë e pilotit që doli i humbur nga ky sezon me shumë pritshmëri për të, duke pritur fundin e një kampionati që e sheh në vendin e katërt në klasifikimin e pilotëve pas edhe Verstappen e Hamilton.
‘George bëri gjestin e bukur të sportivitetit teksa shkoi të përshëndesë Kimin dhe ta urojë atë pas garës-shpjegoi Toto Wolff pas festimeve për suksesin e Antonellit-edhe unë fola me të pas garës dhe e kuptoj se për një sportist ky është një moment katastrofik, shumë i vështirë për t’u pranuar’.
Të humbasësh një botëror kundrejt shokut tënd të skuadrës dhe të shohësh të gjithë skuadrën të festosh nuk është e lehtë.
‘Fakti që ai nuk dha deklarata në media apo u largua nga pista para festës, është mëse i kuptueshëm-vijoi Wolff-përkundrazi, do të habitesha po të qëndronte, se të pranosh të gjithë këtë nuk është e lehtë. Por ai do të kthehet më i fortë në pistë’.
Britaniku, që në videon pas garës u pa të ishte i turbulluar emocionalisht, do të kërkojë të marrë veten në kohë për fundjavën e ardhshme, në Brazil ku së bashku me Hamilton, Verstappen dhe Leclerc do të vijojë betejën për pozicionin e nënkampionit të botës dhe ku do të duhet të ndihmojë skuadrën e Mercedes që të fitojë titullin botëror për konstruktorë.
Ndërkaq, sipas Sky Sports, për shkak të mungesës së Russell në takimin me median pas garës, Mercedes është gjobitur me 5000 euro pasi për FIA një impenjim i tillë është i detyrueshëm.
Top Channel