Kombëtarja shqiptare vuajti më shumë nga sa pritej për të marrë 3 pikët në ndeshjen me San Marinon në një ndeshje shumë të çuditshme për kuqezinjtë. Elseid Hysaj pranoi vështirësitë që ka në konkretizimin e shanseve që krijon.

‘Shqipëria vuan se nuk shënon mundësitë e golave që ka. Po shënove ato raste, ndeshjen e mbyll në pjesë të parë 3 me 0. Kjo është me këto skuadra. Po e le 1 me 0 mund të dalë 1 top, të kenë një rast. Normal që edhe ato luajnë futboll. Duhet ta mendojmë mirë që kur jemi para, të shënojmë gola. Disa lojtarë mund të kenë ndjerë lodhjen sepse kanë bërë katër ndeshjeve. San Marino ishte shumë poshtë dhe nuk po lejonte hapësira për të sulmuar me shpejtësi. Besoj se disa lojtarë i kam parë dhe unë të lodhur. Kjo është e vërteta-tha Hysaj

Për mbrojtësin shkodran, loja nuk ishte e dobët pasi rastet u krijuan e megjithatë Hysaj befasoi kur tha se falenderon fatin për penalltinë.

‘Nuk mund ta quaj të dobët. Ne kishim raste. E ndjeja të sigurtë që do fitonim 2 apo 3 me 0. Në fillim e nisëm mirë, patëm raste për gola. Në pjesë të dytë ishte problem kur e shikoje 1 me 0. Një rast ose gjë mund ta krijojnë ato. Dhe nëse penalizohesh, nuk mund ta rikuperosh. Faleminderit për fatin që patëm që na dha penalltinë dhe morëm 3 pikët. Kjo është më e rëndësishmja-shtoi Hysaj

Elseid Hysaj foli edhe për tifozerinë në stadium dhe tregoi se çfarë ndodhi në momentin e shënimit të golit.

‘Tifozeria nëse të jep një dorë është gjëja më e bukur në botë. Mund të japin shtytjen që patëm penalltinë dhe morëm fitoren. Po një gjë që e kam problem. Unë kam problem dhe u kam thënë çunave, që këtë duhet ta marrim mësim të gjithë. Nuk mund të gabosh këto ndeshje sepse penalizojnë gjithë grupin. Duhet ta kemi mësim në nëntor që të jemi gati për ndeshjet e radhës. Po nuk jemi të përqëndruar 100% nuk mund të bëjmë asgjë. Goli i San Marinos? Nuk e kam parë akoma tamam, por me sa mbaj mend unë, më shumë neglizhimi. Menduam ndoshta që nuk do bëjnë asgjë. Ai që dha topin dhe ai që shënoi, u çuditën. Ishte ndjesi e çuditshme edhe për mua të them të drejtën. Numri 8 i tha nuk e di si ta dhashë topin. Dhe unë i thashë nuk e di si e dhe. Ishte çudi për të gjithë, po prisnim të vendoseshim dhe na mori kohë.. Kjo gjë na mori kohën dhe i la që të luajnë të qetë’-deklaroi Hysaj

Top Channel