Tragjedia pas dritave të stadiumit, nga diagnoza e papritur te terapitë rraskapitëse, lufta një-vjeçare e Franco Baresit
Historia mes Franco Baresit dhe Werner Herzogut është një nga ato lidhje të rralla që tejkalojnë sportin dhe artin. Një miqësi e lindur përmes letrave mes një regjisori të madh gjerman dhe një prej kapitenëve më ikonë në historinë e futbollit.
Në pamje të parë, dy figurat dukeshin krejt të ndryshme. Herzog, regjisori bavarez me ambicie të jashtëzakonshme, i njohur për projekte ekstreme si tërheqja e një anijeje përmes xhunglës së Amazonës gjatë xhirimeve të filmit “Fitzcarraldo”, dhe Baresi, mbrojtësi legjendar i Milanit, një njeri i heshtur, modest dhe i rritur në provincat e Lombardisë. Por pikërisht këto dallime i afruan.
Herzog e shihte Baresin si një figurë që tejkalonte futbollin. Për të, kapiteni i Milanit ishte një personazh aq i madh sa ishte pothuajse i pamundur të përkthehej në ekran.
“Franco është vetë jeta. Ndonjëherë jeta reale është në njërën anë dhe kinemaja në anën tjetër”, kishte thënë regjisori përpara takimit të tyre të parë.
Edhe pse Herzog mendonte se Baresi ishte “shumë i madh për një film”, shumë tifozë do të kishin dashur të shihnin një dokumentar apo film biografik të realizuar me stilin unik të regjisorit gjerman.
Një histori për një kapiten që udhëhoqi Milanin në epokën e artë dhe që u bë simbol i besnikërisë, sakrificës dhe qetësisë në një sport ku shpesh mbizotëron zhurma.
Autobiografia e Baresit kishte titullin “Të lirë për të ëndërruar”, një frazë që do t’i përshtatej edhe filozofisë së Herzogut.
Kur njerëzit habiteshin nga korrespondenca e tyre e gjatë, shkëmbimi i librave dhe ideve, Baresi shpjegonte: “Ne vijmë nga toka fshatare. Ne i besojmë tokës dhe shikojmë qiellin.”
Herzog vlerësonte te Baresi atë që ai vetë kërkonte në kinematografi: vizionin.
“E dua vizionin e tij në fushë”, kishte thënë regjisori për ish-kapitenin e Milanit.
Ndërkohë, Baresi ishte admirues i filmave të Herzogut, veçanërisht i “Fitzcarraldo”, historisë së një njeriu që sfidon të pamundurën për të realizuar ëndrrën e tij.
Në një udhëtim në Brazil, Baresi vizitoi edhe Manausin dhe teatrin Amazonas, vendin e lidhur me filmin e famshëm të Herzogut.
“Doja të zhytesha në atmosferat e përshkruara nga Herzog. Të kuptoja botën e tij dhe mënyrën e tij të perceptimit të realitetit”, kishte treguar Baresi.
Pas një periudhe të gjatë komunikimi përmes letrave dhe email-eve, dy figurat më në fund u takuan personalisht në maj të vitit 2022 gjatë Panairit të Librit në Torino.
Herzog e kishte përshkruar marrëdhënien e tyre si një “afinitet zgjedhor”, një lidhje të natyrshme mes dy njerëzve që shikonin botën në mënyrë të ngjashme.
Për Baresin, vlerësimi që vinte nga një regjisor i madh kishte një domethënie të veçantë.
“Është ndryshe kur lavdërimi vjen nga një regjisor. Të shkakton të dridhura”, kishte thënë ai.
Herzog kishte një admirim të veçantë për vetëm dy futbollistë: Gerd Müller dhe Franco Baresi.
Për të, ata nuk ishin thjesht lojtarë, por artistë që dinin të kuptonin hapësirën dhe ta interpretonin atë, njësoj si një regjisor përmes kamerës.
Baresi mbeti gjithmonë simbol i rezistencës. Ashtu si në finalen e Kupës së Botës 1994, kur luajti me një dëmtim të rëndë dhe qëndroi në fushë për të mbrojtur Italinë, ai përfaqësonte figurën e njeriut që lufton deri në fund.
Top Channel