‘Duhet impenjim maksimal, duam vendin e parë në grup’/ Presidenti Duka takohet me futbollistët dhe stafin e Kombëtares

22/09/2026 10:18

Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht punën për ndeshjet e këtij edicioni të ri të Nations League teksa ditën e hënë zhvilloi seancën e parë stërvitore.

Presidenti i FSHF, Armand Duka zhvilloi një takim me futbollistët kuqezi dhe stafin teknik për të dhënë mesazhin e tij të mbështetjes teksa e nisi diskutimin e tij për ndeshjen me Bjellorusinë

‘Personalisht kam një lloj meraku apo shqetësimi për këtë ndeshje(me Bjellorusinë) sepse në pamje të parë gjithkush mendon se ne jemi favoritët dhe ne e fitojmë dhe fitojmë grupin. Por asnjëherë nuk mund të vijë vetë. Fitorja vjen vetëm nëse  impenjohesh maksimalisht, ke dëshirën dhe angazhimin maksimal, ke përqendrimin maksimal. Kështu që nga dita e parë duhet filluar seriozisht, të impenjohemi në stërvitje, të impenjohemi në çdo moment gjatë këtij grumbullimi’-tha Duka

Më pas presidenti i FSHF foli për objektivin e skuadrës sonë kombëtare duke e thënë qartë se kërkohet vendi i parë në grup

‘Grumbullimi është i gjatë, 4 ndeshje. Objektivi ynë është i qartë, duam të dalim në vendin e parë. Por vendi i parë nuk vjen vetë. Duam ta nisim mbarë me Bjellorusinë, por kush nuk do që ta nisë mbarë? Të gjitha duan ta nisin mbarë, këtë gjë mendon edhe Bjellorusia, të njëjtën gjë mendon edhe Finlanda edhe ata që mendojnë se janë favoritë, edhe ne mendojmë. Favorit bëhesh në fushë, ndeshjen e fiton në fushë me impenjim maksimal-shtoi kreu i FSHF

Për presidentin Duka, skuadra duhet të mbështetet te forca e grupit dhe energjia pozitive për të përballuar këto ndeshje

‘E vetmja forcë e jona, jo sot, në të gjithë historinë e kombëtares shqiptare, në ADN e kombëtares shqiptare nuk kanë qenë kualitetet individuale të veçanta, nuk kanë qenë lojtarë të nivelit të lartë, por ka qenë fryma e skuadrës. Duke punuar bashkë duke qenë në  një atmosferë pozitive, energjia pozitive sjell edhe rezultat pozitiv. Energjia negative nuk të çon askund. Nuk na ka munguar asnjëherë në të gjithë historinë tonë dhe duhet ta vazhdojmë këtë traditë. Këtu kemi lojtarë me shumë eksperiencë. Nuk dua t’i përmend me emra, ju i dini, kemi edhe të rinj duhet të bëjmë një ndërthurje fantastike për të bërë vërtet atë energji fantastike që i duhet futbollit. Me energji pozitive, me përqendrim maksimal, impenjim maksimal, me karakter, me përkushtim ne mund të arrijmë të dalim të parët-tha Duka

Dhe në fund kreu i qeverisë shqiptare bëri urimin e tij për skuadrën tonë kombëtare duke kërkuar përqendrim maksimal dhe përkushtim për të arritur objektivat

‘Nuk dua t’ju lodh më shuma, dua t’ju uroj shumë shumë sukses. Ju uroj që të jeni sa më mirë dhe sa më të lumtur, sa më të kënaqur këto ditë dhe të kaloni mirë stërvitjen e të festojmë më Bjellorusinë për të udhëtuar bashkë  mëse të gëzuar për ndeshjet e tjera-mbylli diskutimin e tij presidenti Duka

Top Channel