Arsenal, New York Knicks, Hamilton, Zverev, viti 2026 iu jep fund ‘thatësirave’ sportive. Edhe në Botërorin 2026…
Me rastin e Kupës së Botës 2026, gazetari i të përditshmes britanike “Times”, James Gheerbrant, vendosi të shkruante një artikull, duke bashkuar 48 rrëfime nga 48 futbollistë të kombësive të ndryshme, aq sa janë edhe ekipet kombëtare që marrin pjesë në këtë turne.
Është një lexim maratonë, i frymëzuar nga një Botëror maratonë. Ndër të tjera, Gheerbrant iu drejtua brazilianit Arthur Antunes Coimbra, më i njohur me pseudonimin që për vite me radhë u brohorit në stadiumet e mbarë botës: Zico.
Siç shkruan Gheerbrant: “U ndodha në São Paulo për premierën e një dokumentari kushtuar karrierës së tij. Në margjinat e eventit, e pyeta: ‘Zoti Zico, cili është kujtimi juaj më i dashur nga tre Kupat e Botës në të cilat keni marrë pjesë?’ Deri në atë moment, Zico ishte në një humor shumë të mirë, por sapo i përkthyen pyetjen time, buzëqeshja iu zhduk nga fytyra. ‘Kujtimi më i dashur?’ m’u përgjigj me vështrimin e dikujt që sapo i kanë kërkuar të përmendë fatkeqësinë e tij të preferuar. Sidoqoftë, Zico e bëri krejtësisht të qartë se nuk do ta harrojë kurrë, ashtu siç nuk do ta falë kurrë, arbitrin uellsian Clive Thomas – njeriun që nuk i vlerësoi golin kundër Suedisë në Botërorin e vitit 1978.”
Nuk e kaloi kurrë atë tronditje
Sot, në moshën 73-vjeçare, “Peleja i Bardhë” ende nuk e ka kaluar shokun që përjetoi gati 50 vjet më parë. Ashtu si i gjithë Brazili, dhe ndoshta si çdokush që e do Brazilin për Seleção-n e tij dhe magjinë e futbollit që ofronte përpara se të “modernizohej” e të bëhej tepër “serioz”. Populli i Zicos, i tërbuar nga kjo padrejtësi flagrante kundër ekipit të tyre të adhuruar, u zhyt në një melankoli që do të shndërrohej në zi të vërtetë kur, gjatë zhvillimit të atij turneu dhe nën rrethana jashtëzakonisht të diskutueshme (me dyshime për ndeshje të trukuara me ndërhyrjen e diktatorit argjentinas Jorge Rafael Videla), Brazili nuk arriti asnjëherë në finalen e Botërorit 1978.
Në shkrimin e tij për “Times”, Gheerbrant thekson diçka shumë domethënëse për historinë dhe trashëgiminë e Botërorit: fakti që Zico, ashtu si Johan Cruyff, nuk arriti kurrë të ngrinte trofeun e Kupës së Botës.
U thirr për të dëshmuar
Ndryshe nga Zico, Ronaldo Luis Nazario de Lima, i famshmi “Fenomeni”, e arriti atë sukses. Megjithatë, përpara kësaj, ai u gjend i pandehur në një çështje që kufizonte me paranojën. Bëhet fjalë për thirrjen e një futbollisti për të dëshmuar para një komisioni të Asamblesë Kombëtare të vendit të tij, për të dhënë shpjegime mbi dështimin e ekipit kombëtar në fazën finale të një Kupe Bote. Dhe kjo ndodhi pikërisht në Brazil, pas humbjes në finalen e Botërorit 1998 në Paris përballë mikpritësve francezë me rezultatin 3-0, me dy gola të shënuar me kokë nga Zinedine Zidane.
Në atë ndeshje, Ronaldo ishte pothuajse inekzistent në fushë, një ‘fenomen’ në sensin e kundërt, pavarësisht se ishte vetëm 22 vjeç, i vlerësuar me shumë çmime dhe një gjeni sulmues që dukej i pandalshëm në shënimin e golave. Rrjedhimisht, u aludua se diçka e dyshimtë dhe e pistë duhej të kishte ndodhur që Ronaldo të zvarritej në fushë, kur deri para finales kishte magjepsur këdo. Ky ishte përfundimi në të cilin doli deputeti i majtë Aldo Rebelo, i cili hodhi publikisht akuza të rënda për korrupsion kundër Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) dhe ndaj çdo bashkëpunëtori në atë që ai e konsideronte si turpërim të ekipit kombëtar.
Mbyllja e hetimeve
Pasi Rebelo ngriti këtë furtunë, Asambleja Kombëtare urdhëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm për të zbardhur çështjen. Rreth 125 persona u thirrën për të dëshmuar, duke përfshirë trajnerin e Kombëtares Mário Zagallo, ish-presidentin e Federatës dhe më pas të FIFA-s João Havelange, lojtarin Edmundo dhe, natyrisht, superyllin e ekipit, Ronaldon.
Siç pritej, përtej rikthimit mazokist të një ngjarjeje traumatike, hetimi i këtij skandali të supozuar nuk çoi askund. Aldo Rebelo komentoi me sarkazëm se “Disney nuk e ka shitur kurrë Mickey Mouse-in, ndërsa Federata Braziliane ia shiti ekipin tonë kombëtar kompanisë Nike. Ata duhej të kishin shitur spektakël, jo një produkt.”
Argumentet e tij nuk ishin krejtësisht absurde, veçanërisht këmbëngulja për të zbuluar të gjitha detajet e marrëveshjes gjigante që Nike kishte nënshkruar me CBF-në përpara Botërorit. Një nga versionet që përpiqej të shpjegonte atë që ndodhi në finalen e Parisit më 12 korrik 1998, çonte në një teori konspirative: që lojtarët dhe drejtuesit ishin paguar për t’ia falur fitoren Francës. Dhe në një mënyrë apo në një tjetër, gjithçka rrotullohej rreth Ronaldos…
Top Channel