Spanja nuk e ndal dominimin, Kampionët e Botës mundin me tre gola Çekinë dhe ruajnë kreun e grupit me pikë të plota

03/10/2026 22:40

Spanja vazhdon marshimin në Ligën e Kombeve, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në Grupin A3. Kampionët e Botës mposhtën Çekinë 3-1 në Oviedo dhe mbeten në krye të grupit me pikë të plota.

“La Roja” e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 6-të. Lamine Yamal realizoi një gol spektakolar, duke goditur saktë nga distanca dhe duke mposhtur portierin Kinsky.

Spanja vazhdoi të kontrollonte lojën dhe krijoi disa raste të tjera për të dyfishuar avantazhin. Goli i dytë erdhi në minutën e 35-të, kur Rodri përfitoi nga një aksion i mirë i skuadrës dhe dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Dominimi i spanjollëve vijoi edhe në pjesën e parë, ndërsa Çekia e pati shumë të vështirë të dilte nga presioni i vendasve.

Në fraksionin e dytë, miqtë reaguan dhe në minutën e 69-të Slama ngushtoi diferencën në 2-1 me një goditje të bukur me të majtën.

Çekia kërkoi barazimin në minutat e fundit dhe pati edhe një rast për të shënuar, por goli i realizuar në minutën e 79-të u anulua pas ndërhyrjes së arbitrit për një faull të mëparshëm në zonë.

Në minutën e 85-të, Çekia mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të Krejçit, duke e bërë edhe më të vështirë tentativën për të barazuar, ndërsa Merino vulosi ndeshjen në fund.

Me këtë sukses, Spanja shkon në 9 pikë pas tri ndeshjesh, duke ruajtur kreun e Grupit A3. Më herët, spanjollët kishin mposhtur Anglinë 3-2 dhe Kroacinë 4-1.

Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes në Ligën B, Skocia mposhti Maqedoninë e Veriut 2-0 në Shkup. Kieron Bowie zhbllokoi takimin, ndërsa John McGinn realizoi nga pika e bardhë golin e dytë.

Ndërkohë, Zvicra fitoi 2-1 ndaj Sllovenisë, duke vijuar serinë perfekte në Grupin B1. Sllovenia kaloi fillimisht në avantazh, por zviceranët përmbysën rezultatin dhe morën tri pikët.

Pas tri ndeshjeve, Zvicra kryeson Grupin B1 me 9 pikë, ndërsa Skocia ngjitet në vendin e dytë pas fitores në Shkup. Maqedonia e Veriut mbetet pa pikë.

Top Channel