Trajneri i Finlandës, Jacob Friis, pranoi se skuadra e tij e pati të vështirë përballë Shqipërisë, pavarësisht fitores 2-1 në Helsinki.
Finlandezët e përmbysën avantazhin e kuqezinjve falë dy golave të Waltës nga goditjet e dënimit.
Duke folur për Yle pas ndeshjes, Friis vlerësoi reagimin e skuadrës së tij, por pranoi se pas golit të dytë Finlanda pati momente pasigurie dhe humbi qetësinë në minutat e fundit.
“Fillimi ishte vërtet i vështirë. Shqipëria shënoi një gol të bukur nga një goditje standarde dhe ne u gjendëm menjëherë në disavantazh. Më pas gjërat nisën të ndryshonin dhe gjithçka kishte të bënte me përpjekjet tona për të thyer bllokun e ulët. Ndonjëherë mund të shënosh nga situata të tilla, siç bëmë edhe ne sot. Kjo është një ndihmë e madhe.”
Finlanda e gjeti golin e barazimit në pjesën e parë dhe më pas kaloi në avantazh në fraksionin e dytë, por trajneri pranoi se skuadra e tij nuk e menaxhoi siç duhet fundin e takimit.
“Morëm avantazhin 2-1, por më pas gjërat u vështirësuan dhe u bëmë shumë të nxituar. U kapëm në disa situata tranzicioni dhe mendoj se lojtarë me pak më shumë eksperiencë nuk do të ishin gjendur në situata të tilla në minutat e fundit.”
Friis theksoi se Finlanda kishte në formacionin titullar edhe tre lojtarë nën 21 vjeç, duke e lidhur këtë me disa nga vështirësitë e shfaqura në fundin e ndeshjes.
“Kishim tre lojtarë nën 21 vjeç në formacionin titullar. Nuk fajësoj askënd, por ndonjëherë duhet të gjendesh në situata të tilla dhe të mësosh t’i përballosh.”
Në fund, trajneri finlandez vlerësoi punën e skuadrës dhe pranoi se nuk ishte e lehtë të gjendej hapësirë ndaj një Shqipërie që luajti e tërhequr.
“Kishim një qasje të mirë, por gjithashtu punuam shumë. Nuk është e lehtë të thyesh një skuadër që luan me bllok të ulët. Kemi fitoren dhe do t’i gëzohemi për disa orë, pas të cilave do të fokusohemi te ndeshja e radhës”, përfundoi Friis.
Top Channel