Tensionet te Portugalia, Jorge Jesus: Ronaldo është një mit, pas sfidës me Norvegjinë do të kemi kohë të flasim

03/10/2026 20:21

Kombëtarja portugeze është shndërruar në një ‘fuçi baruti’. Çështja Ronaldo vazhdon të diskutohet në mbarë botën. Ylli portugez braktisi grumbullimin e Portugalisë në këtë mesjave dhe pasojat po ndihen ende te pjesa tjetër e skuadrës.

Trajneri i luzitanëve deshi t’i hedhë ujë zjarrit në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Norvegjinë, por tensionet ishin të tilla sa shefi i zyrës së shtypit të kombëtares portugeze u detyrua ta ndërpresë situatën për të mos e përshkallëzuar më situatën.

‘Nuk do të them asgjë. Nuk do të them asgjë. Cris është një simbol i kombëtares së Portugalisë dhe kjo të jetë e qartë-tha Jorge Jesus-pas ndeshjes do të kemi kohë për të folur për këtë. Tani ajo që ka rëndësi është ndeshja, ajo me Norvegjinë. Duhet të luajmë mirë përballë publikut tonë dhe me synimin për ta fituar’.

Që në nisje të konferencës, tema e Cristiano Ronaldos u kthye në një refren të pandashëm në pyetjet e afro 50 gazetarëve të pranishëm, ndërsa Jorge Jesus përpiqej t’u shmangej atyre si të mundej.

‘Do të përqendrohem tek ajo që kam thënë, te skuadra dhe rivali-tha Jorge Jesus-Norvegjia është një prej 5 skuadrave më të mira në Evropë, me futbollistë të mëdhenj në radhët e saj. Duhet të përqendrohemi te kjo, që është problemi ynë në këtë moment. Pas kësaj do të kemi kohë që të analizojmë atë që do të mund të ndodhë këtu. Duhet të mendojmë për klasifikimin nesër’.

Jorge Jesus u pyet edhe për pritjen që mund t’i rezervohet në stadium nga publiku në ndeshjen me Norvegjinë.

‘Afeksioni që kërkojë dhe që do të doja të merrja nuk shkon përtej asaj që simbolizon kombëtarja-tha Jorge Jesus-afeksioni është për skuadrën dhe futbollistët, jo për mua. Jam pjesë e një skuadre, jam trajneri i një skuadre. Gjithçka është çështje mbështetjeje që tifozët i japin kombëtares. Shoh për vendin dhe flamurin tim’

Në tjetër pyetje që iu bë Jorge Jesus për Ronaldon ishte nëse ai kishte folur në telefon me të.

‘A kam folur me Cristianon në telefon? Nuk dua të kem të bëj me asnjë temë përveç kombëtares-tha Jorge Jesus dhe këtu ndërhyri shefi i zyrës së shtypit që tha se trajneri i tha çfarë kishte për të thënë për Ronaldon.

Top Channel