Pas konferencës për shtyp të presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez i cili nuk ngurroi të sulmojë rivalët e Barcelonës, vjen reagimi i klubit blaugrana.

Klubi kampion i Spanjës doli më një komunikatë për shtyp përmes së cilës bënte të ditur se departamenti ligjor i klubit po analizon të gjitha deklaratat dhe akuzat e bëra nga kreu i Los Blancos dhe do të vendosë për hapat që do të ndërmerren pas këtyre analizave.

Komunikata e plotë e Barcelonës

‘Përsa i përket konferencës për shtyp të presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, ju bëjmë me dije se departamenti ynë ligjor po studion me kujdes akuzat dhe deklaratat e tij. Në këtë moment po bëhen të gjitha analizat dhe do të merret vendim për hapat që do të ndiqen. Në momentin e duhur do të bëjmë të ditur pozicionin dhe vendimet që do të merren’

Presidenti i Realit të Madridit, Perez në konferencën e tij për shtyp nuk u kursye aspak në sulmet e tij ndaj Barcelonës duke e akuzuar për korrupsion sistematik gjatë 20 viteve  duke përmendur edhe çështjen Negreira.  Momenti më kulmor në këtë çështje ishte njoftimi i Perez për dorëzimin në UEFA të një dokumenti prej 500 faqesh kur të mbyllet sezoni. ‘Po përgatisim një dosje që do t’ia dërgoj UEFA kur të mbyllet kampionati. Kam folur me ta. Nuk ka precedentë të tillë në historinë e futbollit botëror. është rasti i korrupsionit më të madh në histori. Unë jam kundër të gjithëve. Kemi fituar 7 tituj të La Liga që mund të ishin 14 sepse na i vodhën’-ishin fjalët e Florentino Perez

Top Channel