Arsenali merr goditjen e rëndë, mbrojtësi titullar humb finalen e Champions-it kundër PSG-së, rrezikon edhe Botërorin

12/05/2026 16:10

Arsenali ka marrë një goditje të rëndë me dëmtimin e Ben White, i cili do të mungojë në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain.

SunSport raporton se White është gjithashtu në dyshim për Botërorin këtë verë, pas një dëmtimi të dyshuar të ligamentit medial të gjurit (MCL).

Mbrojtësi 28-vjeçar u largua nga stadiumi me një mbajtëse të gjurit të dielën, pas fitores 1-0 të Arsenalit ndaj West Ham. Ai u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë pas një përplasjeje me sulmuesin e West Ham, Crysencio Summerville.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, tani përballet me një dilemë të madhe për përzgjedhjen, pasi mbrojtësi kryesor në krahun e djathtë, Jurrien Timber, është gjithashtu i dëmtuar.

White kishte filluar të gjitha pesë ndeshjet e fundit të Arsenalit, përfshirë të dyja ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madrid. Por tani, mbrojtësi i shumëfishtë, i cili ka pasur probleme me gjurin në vitet e fundit, do të mungojë deri në përfundim të sezonit.

Nënshkrimi i verës, Cristhian Mosquera, duket se do të jetë opsioni më i mundshëm për të zëvendësuar White në krahun e djathtë për finalen e këtij muaji në Budapest. Megjithatë, Arteta vendosi të aktivizojë përkohësisht Declan Rice në këtë pozicion gjatë pjesës së parë të ndeshjes ndaj West Ham.

Holandezi Timber është jashtë që nga mesi i marsit për shkak të një problemi me kyçin dhe ende nuk dihet nëse do të kthehet para fundit të sezonit.

White u rikthye më parë këtë vit në skuadrën e Anglisë për herë të parë që nga largimi i papritur nga Botërori 2022. Rikthimi i tij u prit me buçima nga tifozët e Anglisë, megjithëse mbrojtësi i Arsenalit shënoi në ndeshjen e parë pas rikthimit.

Me performancat e fundit, mundësia për të marrë pjesë në skuadrën e Thomas Tuchel për Botërorin dukej shumë reale, por ky dëmtim e bën këtë pjesëmarrje shumë të pasigurt.

Top Channel