Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby ka deklaruar se forcat serbe kanë filluar të largohen nga kufiri me Kosovën.

Sipas Kirby-t, vendimi ndihmon në de-përshkallëzimin e tensioneve.

Meqenëse ne deklaruam publikisht se i kishim parë forcat serbe në kufi, ne po ashtu i kemi parë ata të fillojnë t’i largojnë ato forca. Dhe kjo është një gjë e mirë, që do të ndihmojë në de-përshkallëzimin e tensioneve – nuk do t’i eliminojë ato, por do të ndihmojë në de-përshkallëzimin e tyre”, tha Kirby.

Deklarata e Kirby-t vjen një ditë pas mesazhit të zëdhënësit të DASH, Matthew Miller, se pretendimet nuk janë konfirmuar ende, por “do të ishte një hap i mirëpritur”.

“Pra, ne kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr personelin dhe pajisjet ushtarake nga kufiri, por ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam që të ndodhte javën e kaluar dhe ne do t’i mirëpresim ata që të kenë marrë atë hap“, tha më herët Miller.

Situata e tensionuar në veri nisi fill pas vrasjes së policit të Kosovës Afrim Bunjaku. Vendimi i Vuçiç për të vendosur trupat ushtarake pranë kufirit me Kosovën nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe nga ndërkombëtarët. E shqetësuar për kërcënimin serioz nga Serbia, qeveria e Kosovës ka qenë në kontakte të vazhdueshme me SHBA-të për tejkalimin e kësaj situate që përbën rrezik kombëtar.

Uashingtoni gjithashtu, i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës, i bëri thirrje Beogradit për largimin e trupave. Pas presionit të madh ndërkombëtar, Aleksandar Vuçiç bëri një hap pas, vendim i cili u konfirmua këtë të hënë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç.

Sipas Mojsilloviç, Serbia nisi tërheqjen e disa prej trupave të ushtrisë së vet të vendosura pranë kufirit me Kosovën, të vendosura pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA