Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për herë të parë që prej konstituimit. Të hënën, në rend dite do të jetë miratimi i një deklarate mbi qëndrimin institucional të Kosovës pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, krahas deklaratës së vonuar, synon që me urgjencë të procedojë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Më e rëndësishme se deklarata është projektligji, nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës dhe prej Kuvendit tashmë ka shkuar në Qeverinë e Kosovës. Tash presioni duhet të jetë te Qeveria e Kosovës”, tha deputeti i PDK-së, Arian Tahiri.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është zotuar që do të kërkojë nga qeveria të trajtojë me urgjencë nismën ligjore, por nuk treguan nëse do ta mbështesin me votë, derisa thanë se duhet strategji shtetërore.
“Unë mendoj se më e drejtë do të ishte ta bënim bashkërisht në Komisionin për Legjislacion, ku ka përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe të draftonin një plotësim-ndryshim të ligjit”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Mbështetje nismës ligjore për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara i ka dhënë Aleanca.
“I dhashë mbështetje grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për nismën e tyre ligjore që tash është në qeveri”, tha deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.
Në mbledhjen e parë të kryesisë së Kuvendit, çështje e rëndësishme dhe primare nga Vetëvendosje u tha se është zgjedhja e presidentit, për çka ka afat deri më 6 tetor.
“Pikërisht, në situatën në të cilën jemi si shtet, është tejet e rëndësishme të kemi të gjitha institucionet, përfshi edhe presidentin”, tha deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci.
Kuvendi i Kosovës, i konstituuar më 13 shtator, proces të cilin e validoi edhe Gjykata Kushtetuese, akoma nuk është mbledhur dhe institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë veprime institucionale pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Top Channel