Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, ndodhi përplasja më e rëndë e armatosur në këtë pjesë të vendit që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Incidenti nisi me zënien në pritë të një patrulle të Policisë së Kosovës përmes një bllokimi të rrugës nga dy kamionë pa targa. Forcat e rendit u sulmuan me armë zjarri e gjatë përleshjes humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë u plagosën. Grupi i serbëve të armatosur, i përbërë nga rreth 30 persona, u tërhoq drejt Manastirit të Banjskës, ku u zhvilluan luftime të tjera me forcat e Policisë së Kosovës.

Tre prej agresorëve serbë u vranë, ndërsa pjesa tjetër arriti të largohej. Pas përfundimit të luftimeve, autoritetet e Kosovës nisën kontrolle masive e sekuestruan një sasi të madhe armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake. Ngjarja shkaktoi reagime të forta nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Edhe më shokuese e bëri atë fakti që përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radoičić, ish numri dy i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon hapur mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Radoiçiç insistoi se kishte vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe, por edhe u arrestua në Serbi, por u lirua pas një kohe të shkurtër. Serbia vazhdon të refuzojë dorëzimin e tij tek autoritetet e Kosovës. Ngjarja e Banjskës u kthye në pike kthese të përshkallëzimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Prishtina zyrtare e akuzoi Beogradin për mbështetje të grupit të armatosur, ndërsa autoritetet serbe mohuan përfshirjen e shtetit në organizimin e sulmit.

Radoiçiç vijon të endet i lirë në Serbi, megjithëse autoritetet në Kosovë e kanë gjykuar në mungesë, e ndaj tij ka një fletarrestë ndërkombëtar nga Interpoli.

Top Channel