Një mbrëmje e pazakontë në UEFA Nations League ku vetëm Suedia mbrojti nderin e ekipeve vendase.

Italia pësoi goditje të rëndë në shtëpi, ndërsa rrjetat e pritësve në shumicën e Impianteve mbetën të paprekura. Mbrëmja e fundit e Ligës së Kombeve solli një skenar të pazakontë në fushat europiane, ku faktori fushë u kthye në një “mallkim” për shumicën e ekipeve pritëse. Me përjashtim të Suedisë, asnjë skuadër tjetër vendase nuk arriti të fitonte, ndërsa faza sulmuese e pritësve pësoi një bllokim gati kolektiv.

Liga A: Belgjika shfryn ndaj Italisë, Franca fiton me pragmatizëm

Goditja më e fortë e natës erdhi në Grupin 1 të Ligës A, ku Belgjika prodhoi surprizën e madhe duke mposhtur Italinë me rezultatin e pastër 0-2. Belgët shfrytëzuan më së miri hapësirat dhe penalizuan gabimet e mbrojtjes italiane, duke marrë një fitore me mjaft peshë në transfertë. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Franca arriti një fitore pragmatike në transfertën e vështirë ndaj Turqisë. Një gol i vetëm mjaftoi që “Gjelat” të merrnin tri pikët me rezultatin 0-1, duke lënë Turqinë pa përgjigje përpara publikut të saj.

Liga B: Irlanda e Veriut dhe Ukraina godasin në udhëtim

Edhe në Grupin 2 të Ligës B, historia u përsërit nga ekipet udhëtuese. Gjeorgjia pësoi një humbje minimale 0-1 përballë Irlandës së Veriut, e cila tregoi cinizëm taktik dhe mbrojtje të ngjeshur. Po me të njëjtin rezultat 0-1 përfundoi edhe përballja mes Hungarisë dhe Ukrainës. Ukrainasit morën një fitore me mjaft vlerë jashtë fushe, duke goditur në momentin më të mirë të takimit.

Liga B, Grupi 4: Suedia e vetmja që mbron ‘nderin’ e vendasve

Në Grupin 4, Suedia ishte i vetmi ekip pritës në të gjithë mbrëmjen që festoi me tifozët e vet, pasi mposhti Rumaninë me rezultatin 2-1 në një duel mjaft të luftuar. Nga ana tjetër, përballja mes Polonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mbeti e vetmja e natës që nuk prodhoi fare gola, duke u mbyllur në një barazim të zbehtë 0-0.

Top Channel