Qeveria e Malit të Zi i dha dritën jeshile të ashtuquajturit Informacioni për nevojën e anulimit të marrëveshjeve që rregullojnë regjimin pa viza me Federatën Ruse, Bjellorusinë dhe Turqinë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, do të hidhen hapa edhe për vulosjen e një marrëveshjeje të re me Turqinë, e cila të zbatohet për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale. Këto lëvizje vijnë në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, proces ky gjatë të cilit Podgorica është e detyruar të harmonizojë plotësisht politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Në muajin korrik, qeveria malazeze kishte miratuar ndryshimet në Rregulloren për regjimin e vizave, duke përcaktuar se, nga 1 nëntori, shtetasve të Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë do t’u nevojitet vizë për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin malazez. Ky konsiderohet hapi i fundit drejt përmbushjes së njërit prej kritereve përfundimtare për mbylljen e Kapitullit 24- “Drejtësia, liria dhe siguria”- në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE. Ai përbën po kështu, njërin prej detyrimeve kryesore të Axhendës së Reformave.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një Sistemi të ri Informativ për Vizat, i cili do të harmonizohet me sistemet e BE-së dhe standardet e sigurisë së zonës Shengen. Sistemi pritet të mundësojë edhe përfshirjen e vizave elektronike. Rusia mbetet prej vitesh një ndër vendet kryesore për nga numri i shtetasve që vizitojnë Malin e Zi çdo vit, duke u renditur zakonisht pas Serbisë.
Komisioni Europian i ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi, që të harmonizojnë politikat e tyre të vizave me ato të BE-së. Kjo synon, ndër të tjera, uljen e rrezikut nga emigracioni i parregullt dhe keqpërdorimin e regjimit pa viza.
Top Channel