SHBA mirëpret tërheqjen e trupave serbe nga kufiri me Kosovën.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller theksoi se megjithëse këto pretendime nuk janë konfirmuar ende, nëse lajmi është i vërtetë “ky do të ishte një hap i mirëpritur”.

“Pra, ne kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr personelin dhe pajisjet ushtarake nga kufiri, por ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam që të ndodhte javën e kaluar dhe ne do t’i mirëpresim ata që të kenë marrë atë hap“- tha Miller në një deklaratë për shtyp.

Mesditën e së dielës, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri një hap pas, duke njoftuar se do të tërheqë forcat ushtarake serbe të vendosura pranë kufirit me Kosovën dhe se nuk kishte ndërmend të urdhërojë ushtrinë të kalojë kufirin.

Situata e tensionuar në veri nisi fill pas vrasjes së policit të Kosovës Afrim Bunjaku. Vendimi i Vuçiç për të vendosur trupat ushtarake pranë kufirit me Kosovën nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe nga ndërkombëtarët. E shqetësuar për kërcënimin serioz nga Serbia, qeveria e Kosovës ka qenë në kontakte të vazhdueshme me SHBA-të për tejkalimin e kësaj situate që përbën rrezik kombëtar.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby gjatë së premtes deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Ai i bëri thirrje Beogradit për largimin e trupave, duke shtuar se kjo do të jepte kontribut në uljen e tensioneve.

Këtë të hënë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, tha se Serbia i ka tërhequr disa prej trupave të ushtrisë së vet të vendosura pranë kufirit me Kosovën, pasi e kishte rritur numrin e trupave atje pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Uashingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës.

Top Channel