Maran para debutimit zyrtar, trajneri flet për Shqipëri-Bjellorusi
Mbërriti në Shqipëri mesditën e kësaj të premteje, 25 Shtator, ish-gjenerali Eric Wendt i përzgjedhuri presidentit Donald Trump për të drejtuar diplomacinë amerikane, në vendin tonë.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ekskluzivisht ndoqi mbërritjen e ambasadorit të ri, përmes fluturimit me numër OS573, raporton se ai është pritur nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të ambasadës.
Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP në Rinas, ambasadori i ri amerikan është shfaqur për herë të parë në vendin tonë, moment i fiksuar nga operatori i Top Channel, Elin Kadillari.
E më pas, makina me flamurin amerikan është nisur drejt Tiranës për një ndalesë të parë në selinë diplomatike në Rrugën e Elbasanit.
Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Eric Wendt paraqiti katër prioritete të cila do ta udhëheqin mandatin e tij:
1-Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtare.
2-Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
3-Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.
4-Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitet.
Ish-gjenerali Eric Wendt e nis misionin e tij diplomatik në Shqipëri, pas një periudhe 3-vjeçare gjatë së cilës Washingtoni hasi vështirësi në Senat për të sjellë një ambasador, që nga mbarimi i mandatit të Yuri Kim në Qershor 2023.
Në më pak se 24 orë nga mbërritja në Tiranë, paraditja e së shtunës do ta gjejë ambasadorin Eric Wendt në Pallatin e Brigadave për të dorëzuar letrat kredenciale.
Burime diplomatike i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se nuk do të jetë thjesht një ceremoni dorëzimi e kredencialeve, por parashikohet edhe një takim i gjatë, kokë më kokë, mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit Eric Wendt.
Të hënën parashikohet që ambasadori Eric Wendt do të ngjisë shkallët e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zhvilluar takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha.
Ditën e premte, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri.
Kjo pritje mbart një rëndësi të veçantë politike, pasi vëmendja do të përqendrohet tek lista e të ftuarve dhe, veçanërisht, prania apo mungesat nga të dy krahët e politikës.
Top Channel