Eksklusive/ Orges Shehi mbetet bardheblu, fillon epokën e tretë si trajner i Tiranës

03/06/2023 22:14

Orges Shehi fillon epokën e tij të tretë si trajner i Tiranës.

Pas një sezoni të mbyllur mes turbullirash, por siç komentohet në ambientet bardheblu se janë ata fituesit moral të këtij edicioni pavarësisht ngjarjeve të fundit, Presidenca e K.F. Tirana i ka kërkuar trajnerit durrsak të mbetet bardheblu.

Burime për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa bëjnë me dije se Shehit i është kërkuar për të vazhduar një projekt të nisur dy edicione më parë dhe të konkretizuar me vende të para dhe të dyta, duke mbajtur një ecuri shumë pozitive për ekipin më të titulluar në vend.

Ishin të shumta kërkesat për trajnerin bardheblu si nga skuadra të Superligës si Vllaznia, ashtu edhe skuadra të kampionatit të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija. Skuadra shqiptare e Shkëndijës ishte e gatshme të plotësonte çdo kërkesë për ekspertizën e teknikut, ashtu sikurse shkodranët.

Megjithatë në momentin e fundit, apo më mire në drekë e fundit, rezultoi se ishte dreka e parë e edicionit të tretë të bashkëpunimit të Orges Shehit me familjen bardheblu.

Top Channel