Brazili, Ancelotti turbullon Barcelonën, grumbullon Raphinhan për dy ndeshje miqësore
Ndërtimi i stadiumit të ri të Milanos ka një prioritet absolur: rritjen e të ardhurave të Interit dhe Milanit. Klubet nuk e kanë fshehur asnjëherë se impianti modern do t’u shërbejë pikërisht për të bërë një hap të madh përpara në aspektin ekonomik, duke ngushtuar diferencën me gjigantët e futbollit evropian.
Aktualisht, krahasimi me klubet elitare të Evropës nxjerr në pah një diferencë të konsiderueshme. Në bilancet financiare të mbyllura më 30 qershor 2026, të ardhurat nga stadiumi arritën në 90 milionë euro për Interin dhe 50 milionë euro për Milanin, shifra shumë larg atyre të gjigantëve të futbollit evropian. Manchester United regjistroi 185 milionë euro, Barcelona 225 milionë euro, ndërsa Real Madridi arriti në 363 milionë euro, falë ndikimit të rinovimit të stadiumit Santiago Bernabéu.
Për të kuptuar përmasat e këtij hendeku, mjafton të përmendet se një ndeshje e vetme El Clásico në Camp Nou — pavarësisht kapacitetit të përkohshëm prej 60 mijë spektatorësh, kundrejt kapacitetit përfundimtar të parashikuar prej më shumë se 104 mijë vendesh — gjeneroi të ardhura rekord për Spanjën, në vlerën e 19,1 milionë eurove. Kësaj shume i shtohen edhe mbi 800 mijë euro të arkëtuara nga dyqani gjigant zyrtar i klubit brenda vetëm një fundjave.
Parashikimet ekonomike për stadiumin e ri
San Siro i ri synon të ngushtojë këtë hendek. Edhe pse Plani Përfundimtar i Fizibilitetit Ekonomik pritet të hartohet në muajt e parë të vitit 2027, dokumentet aktuale paraqesin tashmë një potencial prej rreth 120 milionë eurosh të ardhura vjetore në total, duke garantuar për secilin prej dy klubeve një rritje prej rreth 60 milionë eurosh në vit. Modeli ekonomik mbështetet te shfrytëzimi i stadiumit gjatë të 365 ditëve të vitit, përmes turizmit, organizimit të eventeve dhe aktivitetit të hapësirave tregtare, edhe në ditët kur nuk zhvillohen ndeshje.
Të ardhurat totale ndahen në dy kategori kryesore:
Kompleksi i stadiumit me rreth 80,1 milionë euro në vit.Kjo kategori përfshin: Ture dhe muzeu me 18,1 milionë euro, shitja e të drejtës për t’i vendosur stadiumit emrin e një marke me 17,88 milionë euro, vizita turistike shtesë me 12 milionë euro, evente për korporatat dhe koncerte për 11,4 milionë euro, sponsorë të tjerë 9 milionë euro, artikujt promocionalë dhe koncesionet tregtare 5,5 milionë euro, pas zbritjes së kostove, bare, restorante dhe shërbime kateringu 5,2 milionë euro, parkime 1 milion euro.
Ndërsa në kategorinë e dytë janë aktivitetet e tjera tregtare dhe pasurore për rreth 40,3 milionë euro në vit. Këtu përfshihen: hapësira për argëtim dhe aktivitete të kohës së lirë, përfshirë ambientet tregtare 23,2 milionë euro, zyra 8,86 milionë euro, parkime për klientët e hapësirave tregtare 6,88 milionë euro, qendër kongresesh 910 mijë euro, parkime në shërbim të zyrave 420 mijë euro.
Çmimet e biletave nuk do të rriten: ja si do të sigurohen të ardhurat shtesë
Një aspekt thelbësor lidhet me biletat: të dy klubet kanë ritheksuar se rritja e të ardhurave nuk do të vijë nga shitja e biletave individuale apo nga abonimet tradicionale, por nga shfrytëzimi më i mirë i sektorit të mikpritjes VIP (hospitality).Pavarësisht përpjekjeve të fundit për të zgjeruar ofertën, siç ishte prezantimi i San Siro Rooftop Experience, një eksperiencë që u mundëson tifozëve të shijojnë stadiumin nga çatia e tij, struktura aktuale nuk ofron mundësi të mjaftueshme për të konkurruar me klubet më të mëdha të Evropës. Projekti i stadiumit të ri synon ta zgjidhë këtë problem, duke rritur ndjeshëm numrin e vendeve të dedikuara për mikpritjen VIP, nga rreth 3.000 që janë aktualisht në plot 13.000.
Top Channel