Fitorja 2-1 ndaj Partizanit ishte e veçantë për Elbasanin, që para ndeshjes u solidarizua me Erjon Vishkullin. I riu, i cili u plagos me plumb gome gjatë protestës së studentëve, ka reaguar në rrjetet sociale pas triumfit të skuadrës së zemrës, duke e përshëndetur atë me një emoji me dy zemra.

Futbollistët e Elbasanit zbritën në fushë me një mesazh të veçantë, duke pozuar para takimit me një fanellë që mbante fotografinë e Vishkullit. Një gjest solidariteti për 28-vjeçarin, i cili iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale që zgjati plot shtatë orë.

Megjithatë, pas operacionit ka edhe arsye për optimizëm. Mjekët kanë bërë me dije se shikimi i tij në syrin e majtë mund të rikuperohet plotësisht, duke dhënë shpresë për një përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore.

Edhe tifozët e Elbasanit kanë mundësinë të kontribuojnë për shërimin e tij. Të gjitha të ardhurat nga biletat e shitura për ndeshjen ndaj Partizanit do të shkojnë për të mbështetur Vishkullin në këtë betejë të vështirë. Një fitore në fushë, por mbi të gjitha një mesazh solidariteti përtej futbollit.

Top Channel