Flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë janë ndaluar nga turneu i tenisit Australian Open pas një incidenti në fushë.
Spektatorët fillimisht u lejuan të sillnin flamujt në Melbourne Park me kusht që të mos shkaktonin “përçarje”.
Por organizatorët e ndryshuan këtë vendim të martën, pasi tifozët shfaqën një flamur rus gjatë një ndeshjeje midis Kateryna Baindl të Ukrainës dhe ruses Kamilla Rakhimova.
Tifozët ukrainas pretenduan se mbështetësit rusë po “tallnin” Baindl.
Ambasadori i Ukrainës në Australi dhe Zelandën e Re i kishte bërë thirrje më herët Tenis Australia të marrë masa.
Atletët rusë dhe bjellorusë nuk kanë qenë në gjendje të luajnë nën flamujt e vendeve të tyre në disa sporte, përfshirë tenisin, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
“Pushtimi rus i Ukrainës është i neveritshëm”, tha kryeministrja në detyrë Jancinta Allan. “Ai shkel detyrimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është mundësuar dhe mbështetur nga Bjellorusia. Kjo dërgon një mesazh shumë, shumë të qartë se të drejtat e njeriut janë të rëndësishme, qoftë në sport, apo më gjerë në komunitetin tonë.”
Ndalimi vjen pasi tenistja ukrainase Marta Kostyuk tha se nuk do të shtrëngonte duart me kundërshtarët nga Rusia dhe Bjellorusia, të cilët ajo beson se nuk kanë bërë sa duhet për të dënuar pushtimin.
Top Channel