Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick këtë të martë u shfaq përpara medias në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Racing Santander.

Trajneri gjerman foli për një sërë temash duke nisur nga ajo për pauzën e ndeshjeve të kombëtareve që tashmë po afron dhe për faktin që mund të ketë dëmtime të mundshme lojtarësh.

‘Nuk mund të ndryshoj dot asgjë-tha Flick-më parë kishte 3 pauza të kampionatit për kombëtaret, tani janë 2 dhe njëra prej tyre është më e gjatë. Për klubet nuk është situata më e mirë, por është vendosur kalendari që është dhe nuk kam se çfarë të them më shumë’.

Padyshim që Flick foli edhe për faktin që Camp Nou do të presë finalen e Ligës së Kampioneve në 2029 duke e cilësuar si një lajm të mirë për Barcelonën

‘Është ëndrra jonë padyshim dhe është një lajm i mirë për klubin. Është diçka impresionuese që Camp Nou do të jetë stadiumi i finales-vijoi trajneri gjerman-a do të jem në finalen e 2029? Do të jem si trajner…apo si tifoz i Barcelonës. Në futboll nuk i dihet asnjëherë. Tani po argëtohem, ky klub dhe kjo skuadër janë fantastike, por asnjëherë nuk i dihet…’

Prej ditësh kanë nisur debatet për Topin e Artë dhe tashmë futbollistët kanë nisur fushatën. Lamine Yamal e ka bërë diçka të tillë teksa tha se e meriton ta fitojë këtë trofe.

‘Nuk është e lehtë. Unë flas vetëm për Lamine, jo për futbollistët e tjerë-tha Flick-është i sinqertë dhe më duket diçka e mirë që ka kaq shumë vetëbesim. Por do të preferoja që të mos fliste kështu, por për lojtarët është i rëndësishëm Topi i Artë. Është i sinqertë, është ndjesia e tij dhe unë padyshim e mbështes’

Flick foli edhe për zhurmën rreth këtij trofeut dhe për faktin se tashmë klubi i Barcelonës po e bën fushatën për Yamal

‘Kjo situatë gjithnjë ka qenë kështu-shtoi Flick-në këtë moment nuk mund të fitosh tituj, por vetëm ndeshje. Duhet të punosh shumë për të marrë rezultate. Për mua më të rëndësishëm janë titujt kolektivë, por janë edhe ata individualë dhe për ktë duhet të punosh shumë. A ka fushatë për Lamine Yamal? Përse të mos e bëjmë, është futbollisti ynë. Po luan mirë dhe kjo është situata. Jam dakord me këtë. Kur i sheh lojtarët të stërviten, mund të kuptosh që i mbështesim’.

Top Channel