Japonia thyen rekorde, kalon për herë të parë shifrën e 100 mijë persona mbi moshën 100-vjeçare, pjesa më e madhe janë gra
Danimarka ka akuzuar një anije luftarake ruse se ka qëlluar dy fishekzjarrë drejt një helikopteri të forcave të saj ajrore në Detin Baltik.
Një prej fishekzjarrëve kaloi pranë helikopterit gjatë një operacioni rutinë monitorimi të fregatës ruse. Incidenti ndodhi të hënën pranë Gedserit, ndërsa helikopteri danez Fennec po kryente një operacion fotografik të anijes ruse, e cila ndodhej në ujërat ndërkombëtare.
Forcat e Armatosura Daneze thanë se një prej dy fishekzjarrëve të lëshuar drejt helikopterit kaloi shumë pranë tij. Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, deklaroi se ekuipazhi i anijes ruse nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të komunikuar me helikopterin përpara incidentit.
Ministria e Jashtme daneze e cilësoi ngjarjen si “krejtësisht të papranueshme”, ndërsa autoritetet daneze kanë thirrur ambasadorin rus në Kopenhagë për të kërkuar shpjegime.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e dënoi incidentin si një veprim “të pamatur” dhe tha se sjellja ruse synon të “frikësojë dhe përçajë”.
Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen akuzoi Moskën se po i zhvendos gradualisht kufijtë e asaj që e konsideron sjellje të pranueshme.
“Kjo është diçka që nuk mund ta pranojmë”, deklaroi Rasmussen, duke theksuar rrezikun që veprime të tilla mund të sjellin për sigurinë dhe jetën e personelit ushtarak.
Moska e ka paraqitur incidentin ndryshe. Ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, tha se Rusia do të hetojë me kujdes rrethanat e incidentit, por akuzoi helikopterët danezë për kryerjen e “manovrave të rrezikshme” pranë anijeve luftarake ruse.
Sipas Barbin, ky nuk ishte incidenti i parë i këtij lloji dhe ai pretendoi se kishte ngritur shqetësime të ngjashme edhe vitin e kaluar.
Ambasadori rus argumentoi gjithashtu se problemet e komunikimit nuk lidhen me anijet e Marinës Ruse, por me palën daneze.
Top Channel