Stuhia “Charles” drejt Ballkanit, Shqipëria në alarm për reshje të dendura dhe erëra mbi 80 km/orë

10/11/2026 16:35

Stuhia atlantike Charles pritet të godasë Portugalinë më 11 nëntor, me erëra që në zonat më të ekspozuara mund të arrijnë deri në 140 kilometra në orë.

Autoritetet portugeze kanë shpallur paralajmërim të kuq në tetë distrikte, përfshirë Lisbonën, ndërsa kanë vendosur mbylljen e shkollave dhe shërbimeve publike joesenciale.

Sipas BBC Weather, moti i keq do të prekë edhe jugun e Francës dhe veriperëndimin e Italisë, përpara se reshjet dhe erërat e forta të përfshijnë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri, përkeqësimi më i ndjeshëm i motit pritet të premten, më 13 nëntor veriu dhe veriperëndimi do të përballen me rrebeshe të forta, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet parashikohen më të pakta.

Të enjten dhe të premten, era mund të kalojë 80 kilometra në orë në det të hapur dhe të arrijë rreth 65 kilometra në orë pranë brigjeve jugperëndimore. Në Kroaci, përgjatë Adriatikut, parashikohen erëra me forcë stuhie, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë reshjet më intensive priten në Hercegovinë dhe në perëndim të vendit.

Në zonat malore, gjatë natës drejt së shtunës, shiu mund të kthehet në dëborë. Moti i paqëndrueshëm pritet të prekë gjithashtu Malin e Zi, Slloveninë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Greqisë.

Top Channel