Trump nuk pranon planin iranian të armëpushimit, Teherani konfirmon mungesën e negociatave
Seanca e parë e parlamentit të ri izraelit, Knesetit, u shoqërua me tensione të forta politike, debate të ashpra dhe përplasje mes deputetëve, vetëm pak minuta pasi ligjvënësit u betuan për marrjen e detyrës.
Britmat dhe ndërprerjet e njëpasnjëshme gjatë fjalimeve nxorën në pah përçarjet mes kampeve politike dhe vështirësitë që pritet të shoqërojnë negociatat për formimin e qeverisë së re.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i cili hapi seancën inauguruese, u bëri thirrje forcave politike të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për krijimin e një qeverie të re. Megjithatë, thirrja e tij për kompromis u pasua nga përplasje të menjëhershme mes drejtuesve të partive.
בושה! אסור להקים ממשלה מסוכנת עם תומכי הטרור של רע״מ והמשותפת! https://t.co/WeFe49Dsfi
— Benjamin Netanyahu – בנימין נתניהו (@netanyahu) November 10, 2026
Pak para nisjes së seancës, udhëheqësi i opozitës, Gandhi Eisenkot, deklaroi se synon të formojë një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur, duke i dhënë fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut.
WATCH: “What about an investigation into Oct. 7?” Bennett interrupts Netanyahu’s Knesset toast as PM calls for probe into foreign money’s influence on elections. https://t.co/xb87rbxNPd
— i24NEWS English (@i24NEWS_EN) November 10, 2026
Nga ana tjetër, Netanyahu përsëriti thirrjen për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Në fjalimin e tij, kryeministri në largim u ndal edhe te kërcënimi që, sipas tij, paraqet Irani, duke deklaruar se Teherani po punon për të ringjallur programin e tij bërthamor.
“E vetmja mënyrë për të eliminuar përfundimisht këtë kërcënim ekzistencial është përmbysja e regjimit të ajatollahëve”, deklaroi Netanyahu, duke shtuar se përballë këtyre rreziqeve partitë duhet të lënë mënjanë interesat politike dhe të bashkohen në një qeveri të përbashkët.
Por fjalimi i tij u shoqërua me reagime të forta nga opozita. Netanyahu sulmoi partitë arabe Raam dhe Lista e Përbashkët, duke i akuzuar se synojnë shkatërrimin e Izraelit. Ai paralajmëroi gjithashtu kundërshtarët e tij politikë që të mos mbështeten te votat e tyre për të siguruar krijimin e një koalicioni qeverisës.
Deklaratat shkaktuan reagimin e menjëhershëm të Eisenkot, i cili e cilësoi fjalimin e kryeministrit në largim si mashtrues, përçarës dhe të turpshëm. Sipas tij, Netanyahu e përdori një ceremoni zyrtare, siç ishte betimi i parlamentit të ri, për të bërë propagandë politike.
Ai argumentoi se vazhdimi i qëndrimit të Netanyahut në pushtet po thellon ndarjet në shoqërinë izraelite dhe po vë në rrezik sigurinë e vendit.
Përplasjet u zhvendosën edhe te çështja e 7 tetorit dhe lidhjet e dyshuara me Katarin.
Kreu i opozitës, Naftali Bennett, dhe deputetë të tjerë ndërhynë disa herë gjatë fjalimit të Netanyahut, duke kërkuar shpjegime për lidhjet e pretenduara të disa bashkëpunëtorëve të tij me Katarin, si dhe për refuzimin e kryeministrit për ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor për sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023.
Në momentin kur Netanyahu po akuzonte partitë arabe për qëndrimet e tyre ndaj Izraelit, Bennett e ndërpreu me tone të larta, duke e pyetur: “Po hetimi për ngjarjet e 7 tetorit? Po këshilltarët tuaj nga Katari? Pse nuk e shpallni Katarin shtet armik?”
Përplasjes iu bashkua edhe kreu i grupit parlamentar të Likud-it, Ofir Katz, i cili iu përgjigj Bennett duke i thënë: “Hetojeni këtë me Tibin dhe Abbasin tuaj”, duke iu referuar deputetit Ahmed Tibi dhe kreut të partisë Raam, Mansur Abbas.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Yair Golan, së bashku me deputetët e partisë së tij, u larguan nga salla plenare në shenjë proteste. Deputeti Gilad Kariv vijoi akuzat ndaj kryeministrit, duke bërtitur: “Sa para morët nga Katari?”
Tensione u regjistruan edhe gjatë ceremonisë së betimit të deputetëve. Ministri në largim i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, u përplas verbalisht me Yousef Jabarin, drejtuesin e fraksionit kryesor arab, Lista e Përbashkët, duke e akuzuar për mbështetje të Hamasit.
“Kujt i premton besnikëri, Hamasit?”, e pyeti Ben Gvir deputetin arab menjëherë pas inaugurimit të tij.
Seanca e parë e Knesetit të ri u kthye kështu në një pasqyrë të përçarjeve të thella politike në Izrael, ndërsa përpjekjet për formimin e qeverisë së re pritet të shoqërohen me negociata dhe përballje mes kampeve kundërshtare.
Top Channel