“Po e vendosin njerëzimin në rrugën e shkatërrimit”, Rusia sulmon SHBA-në pasi pranoi se ka sisteme armësh në hapësirë

15/09/2026 22:40

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të një zyrtari amerikan se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në orbitë sisteme armësh për kontrollin e hapësirës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një kërcënim serioz për aktivitetet hapësinore dhe sigurinë ndërkombëtare.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se pranimi nga Uashingtoni tregon, sipas saj, indiferencë ndaj pasojave të mundshme të një konflikti të armatosur në orbitë.

“Duke ndjekur interesa egoiste, Uashingtoni është gati të shpërfillë plotësisht pasojat katastrofike për njerëzimin të një konflikti të armatosur në orbitë”, tha Zakharova.

Ajo paralajmëroi se vendosja e armëve amerikane në orbitë rrezikon perspektivat për eksplorimin e hapësirës dhe mund të krijojë “rreziqe kolosale” për aktivitetet hapësinore, nga të cilat, sipas saj, varet mirëqenia e qytetarëve.

Reagimi i Moskës erdhi pasi Sekretari i Forcave Ajrore Amerikane, Troy Maynack, deklaroi të hënën se SHBA-ja ka vendosur në orbitë “armë për kontrollin e hapësirës”, të afta për të mbrojtur forcat e armatosura amerikane nga çdo veprim armiqësor.

Deklarata u konsiderua si një nga pranimet më të qarta nga një zyrtar i qeverisë amerikane për zhvillimin e sistemeve amerikane të armëve në hapësirë, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit janë në rritje.

Zakharova akuzoi gjithashtu SHBA-në se po përpiqet të shpërqendrojë opinionin publik ndërkombëtar nga ajo që Rusia e konsideron si ndjekje agresive të hapësirës nga Uashingtoni.

Ajo hodhi poshtë njëkohësisht akuzat se Rusia po zhvillon sisteme armësh kundër satelitëve, duke i cilësuar këto pretendime si “skandaloze”.

Sipas saj, projekt-rezolutat për ndalimin e zhvillimit të armëve në hapësirë, në hartimin e të cilave ka marrë pjesë edhe Rusia, do t’i paraqiten Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm.

Top Channel