Sulmohet nga peshkaqeni teksa notonte me delfinë, plagoset rëndë turistja austriake në Bahamas

15/09/2026 22:49

Një turiste 37-vjeçare nga Austria është plagosur rëndë pasi u sulmua nga një peshkaqen teksa notonte pranë ishullit Bimini në Bahamas.

Sipas autoriteteve, gruaja ndodhej në një ekskursion për të notuar me delfinë dhe ishte rreth 5.6 kilometra larg bregut kur ndodhi sulmi.

37-vjeçarja pësoi lëndime serioze në kyçin e këmbës së djathtë. Pas incidentit, ajo u transportua fillimisht në Klinikën Komunitare Bimini, ku mbërriti pak pas orës 17:30 të së martës.

Për shkak të rëndesës së plagëve, mjekët vlerësuan se ajo kishte nevojë për trajtim të specializuar dhe u transportua me helikopter drejt New Providence, ishullit më të populluar të Bahamas.

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se çfarë lloj peshkaqeni e sulmoi gruan dhe as detaje të tjera mbi rrethanat e sakta të incidentit.

Rasti është raportuar nga CBS News, duke iu referuar autoriteteve lokale.

Top Channel