Nuk ka më dënime me vdekje në Kaliforni, guvernatori i shtetit amerikan paralajmëron: Do të zëvendësohen me…
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë një deklaratë shqetësuese gjatë Samitit të 30-të Ibero-Amerikan në Madrid, ku pretendoi se Rusia ka nisur të dërgojë në ushtri disa prej fëmijëve ukrainas të deportuar gjatë luftës.
Ai e cilësoi këtë veprim si të pervertuar dhe kërkoi që të ndalet, duke iu referuar mijëra të miturve që, sipas Kievit, janë larguar me forcë nga Ukraina.
“Rusia ka filluar të dërgojë disa prej këtyre fëmijëve në ushtri, fëmijë që na u vodhën dhe që tani janë rritur. Është perverse dhe duhet të ndalet”, deklaroi Zelensky para udhëheqësve pjesëmarrës në samit.
Kreu i shtetit ukrainas fajësoi gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin për vazhdimin e luftës, duke argumentuar se konflikti mund të marrë fund nëse ai vendos të ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë kthimin e të burgosurve ukrainas dhe fëmijëve të deportuar.
Gjatë fjalimit, Zelensky iu drejtua edhe vendeve të Amerikës Latine, duke kërkuar ndihmë urgjente për furnizimin me pajisje dhe materiale që do të ndihmonin në mbajtjen funksional të sistemit energjetik ukrainas, i cili është vënë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ruse.
Ndërkohë, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, presidenti ukrainas shprehu shpresën se zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, në rast të një fitoreje të demokratëve, mund të sjellin rritje të ndihmës amerikane për Kievin dhe presion më të madh ndaj Moskës.
Zelensky theksoi se Ukraina gëzon mbështetje dypartiake në SHBA, por nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Evropës përballë Rusisë.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një paketë të re financiare prej 4.36 miliardë eurosh për Ukrainën. Sipas saj, fondet synojnë të mbështesin vendin në përballimin e dimrit të pestë që nga nisja e pushtimit rus dhe të garantojnë vijimin e mbështetjes evropiane.
Paketa përfshin 3.7 miliardë euro nga kësti i dytë i ndihmës makrofinanciare për vitin 2026 dhe 658 milionë euro në kuadër të komponentit të mbrojtjes së kredisë.
Ndërkohë, luftimet vijojnë edhe në territorin ukrainas. Në rajonin e Kievit, një sulm rus goditi një strukturë logjistike në zonën e Buchas, duke shkaktuar një zjarr të madh në një ndërtesë që dyshohet se përdorej si depo për materiale ndërtimi. Një person mbeti i plagosur, ndërsa deri në momentin e raportimit nuk ishin njoftuar viktima.
Top Channel