Nuk ka më dënime me vdekje në Kaliforni, guvernatori i shtetit amerikan paralajmëron: Do të zëvendësohen me…

05/11/2026 21:53

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka njoftuar se do të ndryshojë dënimet me vdekje për të gjithë 548 të burgosurit që ndodhen aktualisht në pritje të ekzekutimit në këtë shtet amerikan.

Vendimi parashikon që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht. Kjo do të thotë se të dënuarit nuk do të ekzekutohen, por do të vazhdojnë të vuajnë dënimin në burg.

Njoftimi u bë përmes një letre prej tre faqesh drejtuar qytetarëve të Kalifornisë, ndërsa Newsom po i afrohet fundit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit si guvernator.

Kalifornia ka numrin më të madh të të dënuarve me vdekje në hemisferën perëndimore, duke e bërë këtë një nga vendimet më të mëdha të faljes së dënimit në historinë e shtetit.

Sipas Associated Press, nga 548 të burgosurit, 529 janë burra dhe 19 gra.

Megjithatë, vendimi nuk mund të zbatohet menjëherë për të gjithë. Rreth 382 raste, ose afërsisht 70% e të dënuarve, kërkojnë miratimin e Gjykatës së Lartë të Kalifornisë, për shkak të dënimeve të tjera penale që kanë marrë personat në fjalë. Pjesa tjetër mund të trajtohet drejtpërdrejt nga guvernator.

Newsom ka argumentuar prej vitesh kundër dënimit me vdekje, duke e cilësuar atë si një praktikë që bie ndesh me vlerat e shoqërisë dhe parimet e drejtësisë.

Në vitin 2019, menjëherë pas marrjes së detyrës, Newsom vendosi një moratorium për ekzekutimet në Kaliforni, duke ndaluar zbatimin e dënimit me vdekje gjatë mandatit të tij.

Shteti nuk ka ekzekutuar asnjë të dënuar që prej janarit 2006, ndërsa sistemi i dënimit kapital është përballur vazhdimisht me kritika për kostot e larta, zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe pabarazitë racore.

Top Channel