Al Nassr turpërohet në Champions League Aziatike, Cristiano Ronaldo, ‘mundje’ me kundërshtarin e tij(VIDEO)
Argjentina ka bërë publike listën për ndeshjet e ardhshme miqësore, ku bie në sy mungesa e disa emrave të rëndësishëm, ndërsa Lionel Scaloni ka vendosur t’u japë hapësirë edhe disa prej talenteve dhe lojtarëve të rinj që po spikasin në Europë.
Një nga mungesat më të bujshme është ajo e Paulo Dybala-s. Fantazisti i Romës nuk është përfshirë në listën e Kombëtares dhe do ta shfrytëzojë pushimin ndërkombëtar për të qëndruar në kryeqytetin italian. Në të njëjtën kohë, lista ka një prezencë të konsiderueshme të futbollistëve që luajnë në Itali. Nga Serie A janë grumbulluar Leonardo Balerdi, Matías Soulé dhe Santiago Castro, ndërsa pjesë e listës është edhe Franco Mastantuono, aktualisht te Fiorentina.
Scaloni ka përfshirë gjithashtu Nico Paz, një prej emrave më interesantë të futbollit argjentinas të gjeneratës së re, si dhe dy sulmues me peshë në Europë: Lautaro Martínez të Interit dhe Nicolás González të Juventusit.
Në listë është edhe Messi, por prania e tij lidhet me një moment të veçantë për Kombëtaren. Kapiteni pritet të jetë i disponueshëm për miqësoren e 6 tetorit ndaj Beninit, në Monumental, në atë që pritet të jetë ndeshja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës. Për atë sfidë pritet të jenë të pranishëm edhe kampionët e botës të Katarit. Argjentina do të përballet fillimisht me Bolivinë më 30 shtator, më pas me Burkina Fason më 3 tetor dhe do ta mbyllë serinë e miqësoreve ndaj Beninit më 6 tetor.

Kështu, përtej ceremonisë së lamtumirës së Messit, lista e Scaloni-t sjell edhe një sinjal të qartë për të ardhmen e “Albiceleste”: disa mungesa të rëndësishme, rikthime dhe hapësirë për emra të rinj që synojnë të bëhen pjesë e brezit të ardhshëm.
Top Channel