Daniel Maldini vijon të jetë në qendër të vëmendjes pas aksidentit të ndodhur në orët e para të së dielës në periferi të Milanos.

Sulmuesi i Cagliarit rezultoi pozitiv në testin paraprak të pështymës për substanca narkotike, i kryer nga policia lokale menjëherë pas aksidentit, por 36 orë më vonë analizat e kryera në Cagliari rezultuan negative. Kjo ka krijuar një pikëpyetje të madhe: cili është rezultati që pasqyron të vërtetën?

Të hënën, Maldini iu nënshtrua në laboratorin Cmt në Cagliari një sërë analizash për kërkimin e substancave të ndryshme narkotike dhe doping. Në listë ishin amfetaminat, kokaina, marijuana, metadoni, metamfetaminat, ekstazia, opiatet dhe buprenorfina. Për secilën prej tyre, përgjigjja ishte e njëjtë: “e pranishme” jo, por “absente”. Vetë futbollisti publikoi edhe rezultatet në rrjetet sociale. Megjithatë, testi paraprak i kryer nga policia lokale e Milanos pas aksidentit kishte dhënë rezultat pozitiv.

Duhet theksuar se ky test i shpejtë i kryer në raste aksidentesh me persona të lënduar dhe kur ka dyshime për përdorim substancash ka karakter vetëm orientues dhe nuk ka vlerë ligjore përfundimtare. Përgjigjja që do të konsiderohet zyrtare do të jetë ajo e analizave të kryera në spital mbi mostrën e gjakut të marrë nga Maldini para se ai të dilte nga Fatebenefratelli. Rezultatet e këtij testi priten pas rreth dhjetë ditësh.

Divergjenca mes dy rezultateve mund të shpjegohet në disa mënyra. Njëra hipotezë është që substanca e evidentuar në testin e shpejtë të Milanos të mos jetë ndër ato që janë kërkuar në analizat e kryera në Cagliari. Në media është përmendur mundësia e ketaminës ose GHB-GBL.

Një tjetër mundësi është që substanca të jetë eliminuar nga organizmi gjatë 36 orëve mes aksidentit dhe analizave të kryera në Cagliari. Gjithashtu, një substancë mund të konsiderohet narkotike, por të mos figurojë në listën e substancave të ndaluara nga WADA për sportistët. Në këtë rast, bëhet fjalë për një substancë që nuk konsiderohet se i jep sportistit avantazh në performancën sportive.

Në këtë moment, e vetmja gjë e sigurt është rezultati i testit të alkoolit. Pak orë para aksidentit, Maldini kishte shënuar golin e fitores së Cagliarit ndaj Atalantës, skuadrës që zotëron ende kartonin e tij. Pas ndeshjes, ai kishte qenë në një diskotekë dhe më pas pësoi aksidentin duke mos respektuar një përparësi kalimi.

Në testin e alkoolit, Maldini regjistroi 0.91 miligramë për litër në matjen e parë dhe 0.89 në të dytën, ndërsa kufiri ligjor është 0.50. Për këtë arsye, atij iu tërhoq patenta. Maldini ka deklaruar se kishte konsumuar vetëm dy gin-tonic, por rezultati i alkooltestit ishte dukshëm mbi normën e lejuar. Për momentin, pra, çështja e drogës mbetet e hapur. Testi i shpejtë i policisë foli për një rezultat pozitiv, ndërsa analizat e mëvonshme të kryera në Cagliari dolën negative. Fjala e fundit do t’i takojë analizës së gjakut të kryer në spital.

Top Channel