Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i delegacionit për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Besnik Bislimi, deklaroi së fundi se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është shumë më afër qëndrimit të Serbisë nga perspektiva e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që zhvillohet në Bruksel.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, mendon megjithatë se drafti i shumëdiskutuar, përbën në fakt një kompromis të pranueshëm për dyja palët. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, shprehet zyrtarja e lartë, zgjidhja është afër asaj çfarë Kosova do të donte të shihte, pavarësisht se përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kjo varet nga të dyja qeveritë, mendoj se ka të paktën një kompromis të mire. Me sa di unë, ai i pranueshëm, ka një hapësirë të mjaftueshme kohore dhe uroj që të dyja qeveritë të bien dakord dhe ta pranojnë këtë”, tha Von Cramon.
Këshilla e Von Cramon, është që Prishtina dhe Beogradi ta pranojnë propozimin.
“Asociacioni është pjesë e të gjithë paketës. Nuk do t’i referohesha asociacionit si të tillë, por paketës së përgjithshme si kompromis. Të paktën ajo që kam lexuar është shumë afër me atë që Kosova do të dëshironte të shihte, prandaj do t’i këshilloja secilit që ta pranonte këtë”, u shpreh Von Cramon.
Sa për liberalizimin e vizave, raportuesja rrëfeu se edhe për atë vetë është shumë e paqartë ideja e hedhur nga Franca për ta përfshirë Kosovën në sistemin ETIAS, ndërsa kërkoi nga Këshilli i BE-sëe që në mbledhjen e radhës në muajin nëntor t`i japë dritën jeshile liberalizimit të vizave, të cilin sic tha, Kosova e meriton plotësisht.
Top Channel