“E kanë lënë statujën e Zonjës së Medjugorjes?”/ Grabitet banesa e kardinalit shqiptar në mes të Firences, 30 mijë euro dëm. Autorët marrin edhe lejen e qëndrimit të Ernest Simonit

18/09/2026 17:43

Banesa ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni në Piazza Duomo, në zemër të Firences, është grabitur nga hajdutë që kanë përdorur dalta për të çarë një mur dhe për t’u futur në apartament.

Autorët kanë marrë para, sende ari, bizhuteri, medalje dhe objekte të tjera me vlerë, ndërsa shuma totale e dëmit llogaritet në rreth 30 mijë euro. Mes sendeve të vjedhura është edhe leja e qëndrimit e kardinalit 97-vjeçar.

Në momentin e grabitjes, Ernest Simoni nuk ndodhej në Firence. Kardinali, i mbijetuar i regjimit komunist në Shqipëri dhe i emëruar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2016, ndodhej në Londër, ku kishte zhvilluar një takim me Mbretin Charles.

Në banesë jeton edhe nipi i tij, Tonin Simoni, së bashku me bashkëshorten. Çifti, që administron një restorant në Borgo Albizi, ishte larguar nga shtëpia rreth orës 13:00. Kur u kthyen, rreth orës 23:00, gjetën banesën të përmbysur.

Hajdutët kishin përdorur dy dalta për të çarë murin, të cilat më pas i kishin braktisur në hapësirën e përbashkët të pallatit. Pasi kishin krijuar kalimin, ata kishin hapur derën e blinduar dhe kishin kontrolluar dollapët, sirtarët, kutitë dhe valixhet në kërkim të sendeve me vlerë.

Fakti që autorët patën kohë të kryenin një ndërhyrje të tillë, pa u vënë re, ka habitur familjarët. Sipas Tonin Simonit, asnjë prej banorëve të tjerë, përfshirë një monsinjor që jeton në katin poshtë, nuk kishte dëgjuar apo vënë re gjë.

“Jemi të tronditur nga ajo që ndodhi. Ndiheshim të sigurt. Mund të prisnim gjithçka, përveçse hajdutët të arrinin të bënin një gjë të tillë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës”, është shprehur Tonin Simoni për mediat italiane.

Pas zbulimit të grabitjes, në vendngjarje mbërritën menjëherë Karabinierët dhe ekspertët e hetimeve shkencore, të cilët kryen këqyrjen e banesës dhe kërkuan gjurmë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pamjet e kamerave të shumta të sigurisë në zonën e Piazza Duomo.

Tonin Simoni dyshon se grabitësit mund ta kenë vëzhguar familjen përpara se të kryenin vjedhjen.

“Sigurisht që nuk kanë vepruar rastësisht. Na kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e dinin që nuk ishim në shtëpi”, ka deklaruar ai.

Mes sendeve të marra është edhe një kabllo e një PlayStation-i të vjetër, që u përkiste fëmijëve të familjes, si dhe disa sende me vlerë personale. Por një nga sendet më të pazakonta të vjedhura është leja e qëndrimit e kardinalit Simoni, e cila mbahej në një sirtar.

“Vjedhja e këtij dokumenti është mjaft e çuditshme, përveç rastit kur dikush ka ndërmend ta falsifikojë”, ka thënë nipi i kardinalit.

Në mesin e sendeve të vjedhura ndodhen gjithashtu bizhuteri të bashkëshortes së Toninit, disa medalje dhe një vulë ari. Së bashku me paratë cash dhe sendet e tjera prej ari, vlera e përgjithshme e grabitjes vlerësohet në rreth 30 mijë euro.

Pasi u njoftua për ngjarjen, kardinali Simoni u interesua fillimisht jo për paratë apo sendet e vjedhura, por për statujat fetare që mban në dhomën e tij.

“A e kanë lënë statujën e Zonjës së Medjugorjes? Po statujën e Padre Pios?”, pyeti kardinali, sipas nipit të tij.

Kur Tonin e siguroi se statujat nuk ishin dëmtuar dhe ndodheshin ende në vendin e tyre, kardinali u përgjigj: “Atëherë, nuk ka problem.”

Hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë, ndërsa policia po analizon gjurmët e gjetura në banesë dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Duomo.

Top Channel