Debati për pagat e magjistratëve, Rama u drejtohet drejtuesve të gjyqësorit: Të ulemi në një tryezë pune, kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë

18/09/2026 11:44

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me debatin e ditëve të fundit për sistemin e pagave të magjistratëve.

Rama u ka bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të gjyqësorit që të ulen në një tryezë të përbashkët pune, me synim gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për pagat, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin e piramidës shtetërore të pagave.

Në reagimin e tij, Rama shprehet se në tryezë mund të marrin pjesë edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe përfaqësues të Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.

“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.

Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, shkruan Rama

Top Channel