‘NATO të monitorojë nga afër’/Senatorja amerikane paralajmëron: Rusia po intensifikon luftën hibride, rrezik për Ballkanin

18/09/2026 16:50

Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të vazhdojnë presionin ndaj Rusisë, ndërsa paralajmëroi për intensifikimin e luftës hibride ruse dhe shqetësimet për stabilitetin në Ballkan.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 17 shtator, Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, foli për projektligjin e ri amerikan për sanksione ndaj Rusisë, nevojat e Ukrainës dhe aktivitetet e Moskës përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Sipas saj, projektligji për sanksionet, i miratuar me mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres, synon sektorin financiar rus, oligarkët dhe të ardhurat nga nafta e gazi që financojnë luftën. Legjislacioni parashikon gjithashtu tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz rus, ndërsa synon edhe flotën në hije. Shaheen tha se zbatimi i masave do të varet nga administrata amerikane dhe shprehu shpresën që Departamenti i Thesarit të nisë zbatimin e tyre menjëherë pas nënshkrimit të projektligjit nga presidenti Donald Trump.
Duke folur për mundësinë e një armëpushimi të kufizuar mes Rusisë dhe Ukrainës, Shaheen tha se gjithçka varet nga mënyra se si do të strukturohej marrëveshja dhe nga serioziteti i Rusisë për negociata. Sipas saj, deri tani Moska nuk ka treguar një gatishmëri të tillë.“Putin po tenton të na rraskapitë”, tha Shaheen, duke argumentuar se presidenti rus po e zvarrit procesin me administratën Trump dhe të dërguarit e saj, me shpresën se kundërshtarët do të lodhen dhe do të heqin dorë.
Shaheen u ndal edhe te Ballkani, duke shprehur shqetësim për lidhjet e Serbisë dhe të serbëve në Republikën Sërpska me Rusinë. Sipas saj, Moska mund ta shohë rajonin si një front të dytë të mundshëm dhe për këtë arsye duhet të ruhet stabiliteti.
Ajo përmendi praninë e NATO-s në Kosovë dhe misionin EUFOR në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se duhet të sigurohet që këto misione të jenë në gatishmëri të lartë dhe ta vëzhgojnë nga afër situatën. E pyetur për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Shaheen tha se nuk e kishte shqyrtuar çështjen dhe për këtë arsye nuk mund të komentonte.

Top Channel