Lufta në Ukrainë/ Rusia nis tërheqjen e ushtarëve pranë Kievit! Zelensky: Shenja pozitive nga bisedimet e paqes, por jemi njësoj të kërcënuar nga Rusia

29/03/2022 23:00

Në ditën e 34-të të luftës së Rusisë në Ukrainë, delegacionet e dy vendeve janë takuar në Stamboll, ku mbajtën një raund tjetër bisedimesh për paqe. Pas mbajtjes së bisedimeve, ka nisur tërheqja e një pjese të ushtarëve rusë në rrethinat e Kievit.

23:00 Zelensky: Shenja pozitive nga bisedimet e paqes, por mbetemi njësoj të kërcënuar nga Rusia

Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky në një deklaratë këtë mbrëmje thotë se bisedimet për paqe mes delegacioneve ruse dhe ukrainase ishin pozitive, por në vend mbetet frika nga bombardimet ruse.

22:00 Sulmi me raketa në Mikolayv, shkon në 9 numri i viktimave, 28 të tjerë janë plagosur

Ndërsa zyrtarët ukrainas kishin mbërritur në Stamboll për të biseduar me rusët, forcat pushtuese në terren përdorën raketat për tu shkatërruar institucionet e tyre në Ukrainë. Një godinë qeveritare u sulmua me raketa nga rusët duke lënë pas 7 viktima dhe 22 të plagosur.

20:15 Refugjatët ukrainas: Do të kthehemi në shtëpi

Disa refugjatë ukrainas mendojnë të rikthehen në atdheun e tyre pasi u larguan fillimisht nga konflikti.

19: 23 “Rusia më vodhi jetën, tashmë jam pranë bashkëshortit tim të vdekur”/ Postimi i gazetares ukrainase do t’ju bëjë të gjithëve të qani

Gazetarja 25-vjeçare, Irina Sushkov mbeti e ve pasi bashkëshorti i saj u vra nga sulmet ruse. Ajo e mori vesh lajmin për vdekjen e të shoqin, ndërsa ishte në krye të detyrës në qytetin Obozrevatel. Bashkëshorti i Irinës, 30-vjeçari Victor Sushkov u vra teksa shërbente në Forcat Ajrore të Ukrainës.

18:58 Holanda e Belgjika dëbojnë 38 diplomatë ruse

Qeveria holandeze dhe ajo belge kanë dëbuar disa diplomatë rusë të akuzuar për spiunazh. Shërbimet holandeze të sigurisë kanë vlerësuar se 17 diplomatë ishin të përfshirë në spiunazh, tha ministri i Jashtëm Wopke Hoekstra për mediat holandeze. Ata përdorën statusin e tyre diplomatik për të mbledhur informacione, tha ai, duke shtuar se ambasadori rus ishte thirrur në ministri dhe ishte informuar për lëvizjen.

18:56 Tërheqja e disa ushtarëve nga Kievi, zyrtari amerikan: Rusia thjesht po ndërron ingranazhet

SHBA-ja thotë se Rusia thjesht po “ndërron ingranazhet” dhe tërheqja nga Kievi nuk është në të vërtetë një tërheqje. Një zyrtar amerikan është shprehur pesimist për vendimin e Rusisë për tërhequr disa trupa nga kryeqyteti ukrainas. Ai tha se çdo lëvizje e forcave ruse rreth Kievit është një “rivendosje, jo një tërheqje” dhe Moska thjesht po “ndërron ingranazhet”.

18:08 Sanksionet; Britania ndalon superjahtin e parë ‘rus’ në ujërat e saj (fotot)

Britania njoftoi sot se ka sekuestruar superjahtin e parë në ujërat e saj si pjesë e sanksineve ndaj Rusisë. Jahti €50 milionësh i sekuestruar quhet ‘Phi’, por autoritetet nuk identifikuan pronarin duke thënë vetëm se zotërohet nga një biznesmen rus. Ministri i britanik transportit Grant Shapps tha se “individi në fjalë nuk është mes të sanksionuarve por ka lidhje të afërta me presidentin Vladimir Putin”.

17:15 Rusia: Ulja e operacioneve ushtarake nuk do të thotë armëpushim

Premtimi i Rusisë për të zvogëluar operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Ukrainës veriore nuk përfaqëson një armëpushim, mësohet të ketë thënë kryenegociatori i Moskës në bisedimet me Ukrainën.

16:50 Rusia nis tërheqjen e disa forcave ushtarake nga zonat rreth Kievit

Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Rusia ka filluar të tërheqë disa forca rreth kryeqytetit ukrainas, sipas spikerit të CNN, Jim Sciutto. Ata thanë se SHBA-të po e shohin këtë si një ndryshim “të madh” strategjik. Zyrtarët shtuan se kjo po vlerësohet si një veprim afatgjatë, pasi Rusia ka pranuar dështimin e saj për të avancuar në veri.

16:33 Biden telefonatë me liderët evropianë

Presidenti amerikan, Joe Biden po zhvillon një telefonatë me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Joe Biden ishte në Bruksel dhe Poloni javën e kaluar ku mori pjesë në një samit të NATO-s dhe u takua personalisht me liderët.

16:30 Fotot lajm/ ‘Engjëjt’ e pafajshëm flenë në bodrume, fëmijët ukrainas strehohen mes bombardimeve ruse

Ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkvicius, , ka bërë thirrje për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë duke publikuar një foto të tre fëmijëve ukrainas, të cilët flinin në një bodrum, për të shpëtuar nga sulmet e vazhdueshme ruse. Ai bën thirrje që është koha për të hapur sytë dhe për të ndaluar numërimin e parave nga kjo situatë që sa vjen e përkeqësohet.

14:35 Detajet e para nga takimi në Turqi, Rusia: Ukraina të hyjë në BE, por në NATO jo!

Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymir Zelensky në bisedimet e Stambollit, ka dhënë disa detaje nga takimi. Ai tha se ka pasur “konsultime intensive” për një sërë çështjesh, kryesorja nga të cilat ishte marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Diskutimet janë fokusuar po kështu edhe tek armëpushimi dhe zgjidhja e të gjithë problemeve humanitare me të cilat po haste aktualisht vendi. Forbes nga ana tjetër shkruan se edhe Rusia është gati për disa lëshime. Kështu, sipas tij, negociatorët rusë janë duke e peshuar një marrëveshje e cila dikton asnjëanësinë e Ukrainës dhe ia ndalon anëtarësimin në NATO, apo mbajtjen e bazave të huaja ushtarake, por nuk e pengon ndërkohë të pretendojë garanci sigurie nha shtete të tjera dhe të synojë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

14:24 Rusia “ultimatum” Europës: Pa rubla, s`ka gaz rus! S`kemi dalë për bamirësi!  

Kremlini nuk tërhiqet nga pozicioni i tij, por vazhdon t`i mëshojë idesë që vendet e tjera ta paguajnë gazin e tij me rubla, në të kundërt Moska do të ndalojë furnizimin. Duke folur për transmetuesin publik amerikan, PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e bëri të qartë se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla. “Ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Europën Perëndimore”, u shpreh ai.

14:17 Rusia do të ulë aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Chernihiv

Zëvëndësministri i Mbrojtjes në Rusi, Alexandër Fomin deklaroi se Rusia do të reduktojë ndjeshëm aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Chernihiv. Rusia tregoi se bisedimet mund të hapin rrugën për një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

13:26 Sulmi në qyetin Mykolaiv, tre persona ndërrojnë jetë

Shërbimet shtetërore të emergjencës në Ukrainë kanë bërë me dije se kanë mbetur të vdekur tre persona nga sulmi ajror që u bë mëngjesin e sotëm në qytetin Mykolaiv në Ukrainë. Deri më tani kanë arritur të nxjerrin të gjallë 18 persona që ishin në rrënojat e qytetit port jugor.

12:19 Bisedimet Rusi-Ukrainë, ministri ukrainas “paralajmëron”: Mos hani e mos pini gjë në tryezë

Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba këshilloi negociatorët ukrainas që do të uleshin në tryezë me federatën ruse, te mos konsumonte ushqim e as të mos pinin ujë gjatë takimit. Paralajmërimin, ministri i Jashtëm e bëri gjatë një lidhjeje direkte me “Ukrayina 24”,  pas helmimit të dyshuar të miliarderit rus Roman Abramovich dhe negociatorëve ukrainas në fillim të këtij muaji, në bisedimet e paqes në kufirin Ukrainë-Bjellorusi.

12:14 BE i heq rusëve pasaportat e arta, në diskutim nënshtetësia e oligarkëve

Rusia merr një tjetër goditje nga Komisioni Europian, i cili rekomandoi që që vendet e BE-së t’i japin fund skemave të pasaportave të arta që u lejojnë njerëzve të pasur të blejnë shtetësinë e bllokut dhe u kërkoi atyre të vlerësojnë nëse oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin ose atyre që mbështesin luftën në Ukrainë duhet t’u hiqen të drejtat e nënshtetësisë.

11:50 Zelensky-t i humbet durimi: Sanksionet tuaja të dobëta, ne po paguajmë me jetë!

Komentet e tij vijnë në kohën kur debatet mbi ndalimin e furnizimeve me gaz nga Rusia, janë rindezur sërish. Përfaqësuesit politikë dhe sindikalistë gjermanë janë shprehur sërish kundër një ndalimi të menjëhershëm të importeve ruse të energjisë. Presidenti i sindikatës së industrisë së minierave, kimikateve dhe energjisë ne Gjermani, Michael Vassiliadis, tha së fundi se furnizimi me energji i vendit ndodhet në mes të një transformimi dhe kjo kërkon kohën e vet.

 11:46 Kremlini garanton: Nuk do sulmojmë asnjë vend të NATO-s, vetëm po na goditën vetë

Rusia nuk ka në plan të sulmojë asnjë vend të NATO-s, deklaroi për PBS zëdhënësi i Kremlini, Dmitry Peskov. Kjo mund të ndodhë vetëm në rastin kur bëhet fjalë për një “akt reciprok”, u shpreh ai. Ai la të kuptohet se Rusia nuk ka ndërmend ta zgjerojë luftën. “Vetëm po na detyruan vete, por nuk mund ta mëndojmë këtë e as nuk duam ta mendojmë”, u shpreh ai.

11:42 Erdogan “zbret vetë në fushë”, pret negociatorët: Bisedimet, rezultat se s`bën

Erdogan shpjegoi se i duhet  të largohet nga Turqia për një vizitë në Uzbekistan, por tha se ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu, do të qëndrojë në Stamboll për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve. Delegacionet është planifikuar të mbajnë dy ditë negociata në një ndërtesë qeveritare ngjitur me pallatin osman të shekullit të 19-të, Dolmabahçe, në brigjet e Bosforit.

11:39 “Nuk jemi helmuar”, negociatorët ukrainas përgënjeshtrojnë lajmin e gazetës amerikane

I pyetur rreth dyshimeve për helmin, kryenegociatori ukrainas Mykhailo Podolyak tha se ka shumë spekulime e teori të ndryshme konspirative. Rustem Umerov, një tjetër anëtar i ekipit negociator, u bëri thirrje njerëzve që të mos i besojnë informacioneve të paverifikuara siç tha ai. Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të dërguar me e-mail për komente rreth kësaj çështjeje.

09:36 Delegacionet ruse dhe ukrainase mbërrijnë në zyrën e Erdogan, nisin bisedimet

Delegacionet ruse dhe ukrainase sapo kanë mbërritur në zyrën e Presidentit Erdogan, në brigjet e Bosforit në Stamboll dhe po akomodohen në një tavolinë përballë me njëri-tjetrin. Autoritetet turke shprehen se megjithëse sot është një raund i ri bisedimesh pas dy javëve pushim, shpresat për ndonjë përparim të mundshëm janë shumë të ulëta.

09:24 Erdogan: Uroj që bisedimet e sotme të jenë të favorshme për mbarë njerëzimin

President i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, gjatë fjalimit të tij, teksa pret bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, ka theksuar se pushimi ndërmjet takimeve mes dy vendeve, ka zgjatur shumë dhe nuk duhet të ketë interval kaq të gjatë kohor pa bisedime. Më tej ai shtoi se një paqe mes dy vendeve nuk do të ketë asnjë humbës dhe se vazhdimi i konfliktit nuk i sjell dobi askujt.

09:06 Erdogan mban fjalim para nisjes së bisedimeve Rusi-Ukrainë në Stamboll 

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka mbajtur një fjalim para nisjes së raundit për bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës, që do të mbahet në Stamboll këtë mëngjes. Erdogan tha se Zelensky Putin i Rusisë janë “miq të vlefshëm” dhe përparimi në bisedime do të hapte rrugën për takimin e udhëheqësve. Ai tha se të dyja palët kanë “shqetësime legjitime”.

08:22 Sulmet ruse me raketa rrafshojnë shtëpitë në rajonin e Kharkiv

Forcat e armatosura ruse kryen një sulm me raketa në qytetin e Lyubotyn në rajonin verilindor të Kharkiv, duke rrafshuar disa shtëpi, thonë zyrtarët ukrainas. Zyra e prokurorit rajonal të Kharkiv thotë në një deklaratë Telegram se sulmi plagosi shtatë persona. Zyrtarët nxorën trupin e një personi nga rrënojat. Në pamjet e publikuara nga autoritet lokale, duket teksa del tym nga shkatërrimi i banesave.

Çfarë ka ndodhur gjatë orëve të fundit:

Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë mbërritur në Stamboll për bisedimet e para pas disa javësh shkëputje. Ukraina thotë se prioriteti i saj është të negociojë një armëpushim.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi mbrëmë fuqive botërore që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, duke përfshirë një embargo të naftës.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se ai nuk do të “tërhiqet” nga komenti i tij se Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”. Biden tha se ai po shprehte “indinjimin moral” që ndjeu, dhe  nuk kërkoi ndryshim regjimi.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe beson se Rusia po ruan pozicione bllokuese, ndërkohë që rivendos forcat e saj.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane konfirmoi se Ukraina ka arritur të rimarrë qytetin e Trostyanets pranë rajonit verior të Sumy dhe se përparimi i Rusisë në Kiev ka ngecur mes një zhvendosjeje të fokusit drejt rajonit lindor të Donbasit.

FOTO GALERI
7/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA