Brazili sot në zgjedhje presidenciale, sondazhet favorizojnë Flavio Bolsonaron me 51%, kundrejt Lulës me 49%
Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Sheffieldit ka arritur të riprodhojë efektin e jashtëzakonshëm optik të Kupës së Likurgut, një objekt rreth 1,600-vjeçar që ndryshon nga jeshile në të kuqe në varësi të mënyrës së ndriçimit.
Zbulimi hedh dritë mbi mjeshtërinë e jashtëzakonshme të artizanëve romakë në prodhimin e qelqit.
Kupa e Likurgut, e ekspozuar në Muzeun Britanik, konsiderohet një nga kryeveprat më të veçanta të artit romak. E punuar në shekullin e katërt, ajo shfaq një fenomen të rrallë optik: nën ndriçim normal merr ngjyrë jeshile nefriti, ndërsa kur drita kalon përmes saj, shndërrohet në të kuqe rubini.
Për shekuj me radhë, ky fenomen ka intriguar historianët dhe specialistët e qelqit. Tashmë, studiuesit britanikë kanë arritur të rikrijojnë këtë veti duke përdorur një recetë të lashtë dhe duke riprodhuar strukturën e veçantë të materialit origjinal.
Në krye të punës ishte Lisa Hollands, teknike në Shkollën e Inxhinierisë Kimike, të Materialeve dhe Biologjike në Universitetin e Sheffieldit, në bashkëpunim me profesoreshën Caroline Jackson, eksperte e qelqit romak.
Sfida kryesore ishte përfshirja në qelq e nanopjesëzave të arit dhe argjendit, rreth një mijë herë më të vogla se një kokërr rëre. Gjatë ftohjes së qelqit të shkrirë, në temperatura fillimisht mbi 1,000 gradë Celsius, këto grimca formojnë struktura që ndërveprojnë me dritën dhe përcaktojnë ngjyrën e materialit.
Sipas Hollands, nanopjesëzat ndikojnë në mënyrën se si drita përthithet dhe shpërndahet. Kur drita kalon përmes qelqit, ato bllokojnë një pjesë të dritës blu dhe jeshile, duke lejuar kalimin e toneve të kuqe dhe portokalli. Ndërsa drita që reflektohet nga sipërfaqja krijon pamjen karakteristike jeshile.
Studiuesja e cilësoi procesin si një punë të realizuar me përkushtim, duke theksuar se përpjekjet e mëparshme për të riprodhuar efektin kishin pasur sukses të kufizuar.

Kupa është zbukuruar me një skenë mitologjike që paraqet mbretin Likurg të kapur nga hardhitë e Dionisit, perëndisë greke të verës. Relievi i thellë e bën objektin një vepër të jashtëzakonshme edhe për nga ana artistike.
Në vitin 2022, ajo u përfshi në listën e shtatë mrekullive të qelqit të botës, të përzgjedhura nga një panel ndërkombëtar.
Ian Freestone, profesor emeritus i materialeve arkeologjike në University College London, vlerësoi se riprodhimi i realizuar nga ekipi i Sheffieldit është më i saktë se përpjekjet e mëparshme, veçanërisht për sa i përket nuancave të gjelbra dhe të kuqe.
Sipas tij, ngjyra e qelqit varej shumë nga kushtet e furrës dhe pozicioni i objektit gjatë procesit të prodhimit. Kjo e bënte të vështirë kontrollin e rezultatit, çka sugjeron se romakët mund ta kenë arritur efektin e Kupës së Likurgut falë një kombinimi të aftësisë artizanale dhe rastësisë.
Ngjyrat e saj mund të kenë pasur gjithashtu domethënie simbolike. Një teori sugjeron se e kuqja dhe e gjelbra lidhen me pjekjen e rrushit, duke pasur parasysh skenën mitologjike të hardhive që tërheqin Likurgun drejt botës së nëndheshme. Për këtë arsye, kupa mund të jetë përdorur në ceremoni ose bankete.
Për të sjellë këtë efekt në një krijim modern, Universiteti i Sheffieldit angazhoi artistin e qelqit Elliot Walker, i cili realizoi një skulpturë bashkëkohore të frymëzuar nga kupa antike. Vepra ndërthur historinë e Likurgut me skulpturën e Atlasit Farnese, duke zëvendësuar globin që mban figura me një kupë.
Skulptura do të prezantohet në Galerinë Millennium, si pjesë e Festivalit të Mendjes të Universitetit të Sheffieldit, që zhvillohet nga 6 deri më 15 nëntor 2026, përpara se të vendoset në Muzeun e Qelqit Turner.
Rikrijimi i Kupës së Likurgut nuk përfaqëson vetëm një arritje shkencore, por edhe një mundësi për të kuptuar më mirë teknikat e prodhimit të qelqit në Romën e lashtë. Ai tregon se si njohuritë moderne mbi nanomaterialet mund të ndihmojnë në zbulimin e sekreteve të mjeshtërve të antikitetit.
Top Channel