Video/ Sulm iranian në Bahrein, zjarr në një godinë industriale, autoritetet raportojnë dëme materiale

21/11/2026 22:30

Një sulm iranian ka goditur një godinë industriale civile në Bahrein, duke shkaktuar zjarr në objekt.

Ministria e Brendshme e vendit konfirmoi incidentin, ndërsa bëri të ditur se deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e Mbrojtjes Civile janë angazhuar për të vënë zjarrin nën kontroll. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë të strukturës së goditur.

Përpara incidentit, Ministria e Brendshme e Bahreinit kishte lëshuar një paralajmërim për një kërcënim të mundshëm, duke u kërkuar qytetarëve dhe banorëve të qëndronin të qetë, të drejtoheshin drejt vendit më të afërt të sigurt dhe të ndiqnin informacionet e publikuara në kanalet zyrtare.

Ndërkohë, dy banorë i thanë një korrespondenti të agjencisë AFP se kishin parë tym që ngrihej mbi ishullin Sitra, në pjesën lindore të Bahreinit. Zona është e njohur për objektet e saj industriale, përfshirë rafinerinë e naftës në pronësi të kompanisë shtetërore Bapco.

Gjatë ditëve të fundit, Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka shënjestruar vazhdimisht objekte amerikane në Bahrein. Sipas raportimeve, një prej sulmeve të së mërkurës erdhi pas goditjeve amerikane në ishullin iranian Qeshm.

Më herët, Teherani pretendoi se kishte kapur një dron amerikan që po synonte ishullin, i cili ndodhet në Ngushticën e Hormuzit.

Top Channel