Rusia “ultimatum” Europës: Pa rubla, s`ka gaz rus! S`kemi dalë për bamirësi!  

29/03/2022 14:24

Kremlini nuk tërhiqet nga pozicioni i tij, por vazhdon t`i mëshojë idesë që vendet e tjera ta paguajnë gazin e tij me rubla, në të kundërt Moska do të ndalojë furnizimin.

Duke folur për transmetuesin publik amerikan, PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e bëri të qartë se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla. “Ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Europën Perëndimore”, u shpreh ai.

Presidentit rus, Vladimir Putin urdhëroi javën e kaluar Bankën Qendrore ruse, Qeverinë dhe gjigantin e energjisë, Gazprom të kontrolluar nga shteti, që të paraqesin propozime deri në 31 mars lidhur me pagesat e gazit për “shtetet jomiqësore”, përfshirë këtu të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Vendimi i tij ishte një përgjigje ndaj sanksioneve të ashpra perëndimore për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.

Grupi i shtatë shteteve më të industrializuara shprehet se kërkesa e Kremlinit për pagesën me rubla për energjinë ruse paraqet shkelje të kontratave ekzistuese. Peskov po ashtu foli edhe për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në përgjigje të çfarëdo kërcënimi ekzistencial për Rusinë, dhe tha se “askush nuk po mendon një gjë të tillë”, ndërsa vazhdoi të insistonte se ushtria ruse nuk po sulmon strukturat civile, pavarësisht të dhënave pafund nga gazetarët, hulumtuesit dhe videot e publikuara në rrjetet sociale që shfaqin shkatërrimin e ndërtesave të banimit, qendrave tregtare, spitaleve dhe shënjestrave të tjera civile.

Top Channel